
EKUADOR- Diego Poma u shkarkua nga detyra si gjyqtar për shkak se liroi nga qelia disa trafikantë drogë mes tyre edhe shqiptarin, Dritan Rexhepi. Vendimi u mor nga Këshilli Gjyqësor i Ekuadorit. Sipas mediave të huaja, Poma njihet për favorizimin e trafikantëve të drogës si psh, Jose Macias Villamar (Fito) dhe Junior Roldán (JR), të dy pjesë e klanit të Los Choneros me lidhje me kartelin Sinaloa, si dhe liderin shqiptar të kartelit kompanisë "Bello", Dritan Rexhepi. Por ndryshe nga Fito dhe Rexhepi, sapo Junior Roldán u lirua, në maj të 2023, u qëllua për vdekje.
Kur Rexhepi kërkoi lirinë me kusht, ai argumentoi se vuante nga "lupus eritematoz sistematik", një sëmundje e pashërueshme dhe inflamatore nga e cila sistemi imunitar sulmon indet e veta dhe prek kyçet, lëkurën, veshkat, qelizat e gjakut, trurin, zemrën e mushkëritë. Kështu që në vitin 2021, Poma pranoi kërkesën e Rexhepit dhe i caktoi lirinë me kusht, edhe pse Rexhepi nuk ishte vetëm subjekt i drejtësisë në Ekuador, por edhe në Shqipëri dhe Itali.
Ekuadori kishte premtuar se do ta ekstradonte Rexhepin në Shqipëri kur të përfundonte vuajtjen e dënimit në vendin e tyre. Rexhepi ishte i burgosur në Ekuador që nga viti 2014 për trafik droge, por për shkak të kushteve të tij shëndetësore, ishte menduar që ta vuante në shtëpinë e tij pjesën e mbetur të dënimit 13-vjeçar. Poma kishte vendosur disa masa sigurie për shqiptarin, asnjë nuk u ndoq. Ndër dispozitat, Poma kërkoi kontroll periodik, çdo pesëmbëdhjetë ditë, nga Policia Kombëtare, si dhe vizita mujore periodike nga punonjësja sociale. Po ashtu, edhe pse duhet të kishte zinxhir në këmbë, gjyqtaria ia kishte hequr me pretendimin se i rëndonte shëndetin.
Duke i krijuar të gjitha këto kushte, Dritan Rexhepi u arratis. Askush nuk dinte asgjë për të, derisa u kap në 10 nëntor 2023 në Stamboll të Turqisë.
Policia Turke dhe ajo italiane arrestuan brenda një vile në Stamboll, Dritan Rexhepin. Në momentin e arrestimit nga policia turke, Rexhepit iu gjetën mijëra euro dhe bizhuteri me vlerë të madhe, si dhe armë zjarri. Ai po qëndronte në një vilë luksoze në Stamboll, ku kishte udhëtuar me një pasaportë fallso, nën një identitet kolumbian, Benjamin Omar Perez Garcia. Ai është lideri i një karteli droge, i cili ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë. Rexhepi u kap në vitin 2014 në Ekuador dhe u dënua në vitin 2015 me 13 vite burg për trafik droge. Gjithashtu ai ka një historik të gjatë i përfshirë në ngjarje kriminale në Shqipëri, që e kanë pikënisjen në vitin 2007, kur vlonjati akuzohet për vrasjen e dy efektivëve të policisë. Më pas ai ka një seri arratisjesh nga burgjet, qoftë ato shqiptare, qoftë ato italiane./ZËRI