
CASTELVETRANO- Bosi i mafies italiane Matteo Messina Denaro, i cili dikur pretendonte se kishte vrarë mjaft njerëz për të mbushur një varrezë, u varros të mërkurën në qytetin e tij të lindjes në Siçili, me vetëm një pjesë të vogël të familjes. Messina Denaro, i kapur në janar pas tre dekadash në arrati, vdiq të hënën nga kanceri në një spital në Italinë qendrore, duke marrë në varr sekretet e së kaluarës së tij mafioze.
Arkëmorti mbërriti në qytetin jugperëndimor sicilian të Castelvetrano pas agimit dhe hyri në varreza nga një portë anësore, për të shmangur çdo shfaqje publike dashurie ose zemërimi. 7 persona ecën pas makinës së varrimit, njëri me një tufë me lule të verdha. Tre makina të të afërmve të afërt hynë gjithashtu përpara në varreza para se Policia të mbyllte hyrjen për të parandaluar gazetarët që prisnin të ndiqnin. Për të nuk kishte shërbim fetar.
Mes të pranishmëve ishte edhe vajza e Messina Denaro, Lorenza Alagna, të cilën ai e takoi vetëm pas arrestimit, por nuk munguan as dy motrat dhe vëllai i mafiozit.
Kush është Messina Denaro?
Bosi i Cosa Nostra-s, i arrestuar më 16 janar, u transferua më 5 shtator nga njësia e kujdesit intensiv, ku ishte shtruar për të menaxhuar pasojat e operacionit, në repartin e të burgosurve të ngritur brenda spitalit. Por dha jetë më 24 shtator. Messina Denaro, për tre dekada me radhë, i kishte shpëtuar dënimit me burg për krimet e shumta që ka kryer, përfshirë masakrat e viteve ’92 dhe ’93. Ai tani po vuan burgimin e përjetshëm për të shlyer çmimin e krimeve të kryera. Ai ishte operuar për kancer në zorrën e trashë në vitet 2020 dhe 2022, përpara se të arrestohej. Gjithashtu në fund të qershorit, Drejtoria Italiane e Burgjeve e lejoi atë të linte qelinë për t’iu nënshtruar një tjetër ndërhyrjeje kirurgjike. Shtypi italian e cilëson Matteo Messina Denaro si “kumbari i fundit” i Cosa Nostra-s./Zëri.ai