
TIRANË- Jamarbër Malltezi ka ndërmarrë hapin e radhës në përballjen e tij me drejtësinë, teksa gjendet pas hekurave, që në fund të muajit Tetor. Mësohet se avokati i Malltezit ka depozituar ditën e sotme një shtesë të ankimit të bërë në Apel kundër masës së sigurisë "arrest në burg".
Ky vendim i tij, vjen pasi Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për dhëndrin e ish-kryeministrit. Malltezi, aktualisht në burg, akuzohet për korrupsion pasiv mbi privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Për këtë çështje është vendosur masë sigurie edhe për Sali Berishën. Me kërkesë të SPAK, për Berishën është caktuar masa “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Prej datës 21 Tetor, vetë Berisha ka shmangur përballjen me drejtësinë, dhe me oficerët e policisë gjyqësore për të marrë prej tyre dijeninë për caktimin e masës së sigurisë.
Në 26 tetor GJKKO pranoi kërkesat e dy prokurorëve të SPAK-ut Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dhe vlerësoi të ligjshme masën ndaj Sali Berishës, në mungesë, pasi u përfaqësua nga një avokat kryesisht pasi avokatët e tij me prokurë të posaçme braktisën seancën.