
GEORGIA- Mbrëmjen e djeshme SHBA u trondit nga disa të shtëna me armë zjarri në një shkollë të mesme nga një 14-vjeçar, Colt Grey. Nga ky sulm humbën jetën 4 persona dhe 9 të tjerë u plagosën. Policia e arrestoi menjëherë agresorin, i cili tashmë ndodhet në paraburgrim.
Pas sulmit reagoi edhe presidenti Joe Biden, i cili e dënoi këtë sulm dhe bëri thirrje për ndryshimin e ligjit për përdorimin e armëve.
“Shtetet e Bashkuara nuk mund të pranojnë që të shtënat vdekjeprurëse në shkolla në vend të bëhen normë. Ajo që duhet të ishte një fillim i lumtur i vitit shkollor në Georgia, po kthehet në një kujtesë të tmerrshme: dhuna me armë vazhdon të shkatërrojë jetën e bashkëqytetarëve tanë”, tha Biden.
Por, FBI tha se kishte lajmëruar autoritetet e Georgia rreth një viti më parë për sjelljen e çuditshme të Colt Grey. FBI tha se ata e kishin marrë në pyetje të miturin në lidhje me disa kërcënime në internet për sulme të mundshme. Në atë kohë, Colt kishte mohuar se fshihej ai pas këtyre kërcënimeve, ku shfaqeshin armë dhe paralajmërime për sulme në shkolla.
I dyshuari hapi zjarr të mërkurën në shkollën e mesme Apalachee në qytetin e Winder, duke vrarë dy mësues dhe dy nxënës, ndërkohë që 9 të tjerë mbetën të plagosur. Ai u arrestua në ambjentet e shkollës nga forcat e policisë dhe mësohet se do të ndiqet penalisht si i rritur. Policia ka identifikuar viktimat si mësuesit Christina Irimie dhe Richard Aspinëall dhe nxënësit 14-vjeçarë Mason Schermerhorn dhe Christian Angulo.
Ky është sulmi i 23-të në shkolla në SHBA për vitin 2024, sipas një baze të dhënash të mbajtur nga revista Education Week, e cila numëron 11 të vdekur dhe 38 të plagosur. /ZËRI