Aktualitet

Mashtruesit bëjnë 'kërdinë' me bizneset, Tatimet: Mos bini pre! Ja si ti dalloni inspektorët tanë

DTP shprehet se çdo inspektor, identifikohet nga veshja që mban, badge identifikues dhe urdhri i punës i firmosur nga drejtoria përkatëse.

E.K
Mashtruesit bëjnë 'kërdinë' me bizneset, Tatimet:
Foto ilustruese

TIRANË- Mashtruesit kanë shtrirë skemën e tyre të mashtrimit edhe më gjërë. Tashmë jo vetëm duke u dërguar mesazhe në aplikacione të ndryshme biznesmenëve në emër të figurave të rëndësishme politike, por duke përdorur edhe inspektorët e tatimeve. Kjo ka detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve që të dalë me një njoftim për të gjithë subjektet dhe bizneset në vend që mund të përballen me një rast të tillë. DTP shprehet se çdo inspektor, identifikohet nga veshja që mban, badge identifikues dhe urdhri i punës i firmosur nga drejtoria përkatëse.

NJOFTIMI I DPT:

Administrata Tatimore rikujton Tatimpaguesit: Inspektorët tatimorë identifikohen nga këto elementë. Duke qenë se kjo periudhë shënon pikun e sezonit turistik, Administrata Tatimore i kërkon Tatimpaguesve të tregojnë vëmendje të shtuar ndaj individëve, të cilët prezantohen pranë subjekteve të tyre si inspektorë tatimorë.

Punonjësit e Administratës Tatimore ushtrojnë detyrat e tyre funksionale, në zbatim të legjislacionit tatimor në fuqi, duke u identifikuar në subjekte me elementet dalluese si më poshtë:

 Badge identifikues (Emer/Mbiemër/Foto/Pozicioni i punës/Emërtimi i Drejtorisë)

 Urdhri i punës i firmosur nga drejtuesi i Drejtorisë përkatëse

 Uniformat dalluese me mbishkrimin: Administrata Tatimore.

Ju inkurajojmë të mos hezitoni për të denoncuar çdo përballje me persona të dyshimtë, që nuk disponojnë elementet e mësipërm, në kanalet zyrtare të komunikimit të Administratës Tatimore si më poshtë: [email protected]/ [email protected]

Këtë të martë u bë me dije se një biznesmen i njohur në qytetin e Lezhës, Ylli Ujkaj kishte rënë pre e një mashtrimi pasi Shkëlqim Domi, Saimir Sallaku dhe Shefik Kurti i kishin marrë 15 mijë euro duke përdorur emrin e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu. Ndërkohë pasi kishin mashtruar Ujkajn, ata i ka kanë kërkur 20 mijë euro një tjetër personi në Tiranë. Domi dhe Sallaku u arrestuan ndërsa, Shefik Kurti vijon të jetë në kërkim. Për ngjarjen reagoi dhe vetë Ndreu, i cili ftoi qytetarët që mund të jenë mashtruar që të denoncojnë në polici./ZËRI

Poll

MOS HUMB