
TIRANË- Gjykata e Tiranës ka shtyrë me 20 ditë masën e arrestit me burg për Jetnor Zhabolin, në pritje të ekspertizës për gjendjen e shëndetit mendor të tij. Brenda kësaj periudhe ekspertët duhet të paraqesin konkluzionet e tyre. Zhaboli u vu në pranga disa javë më parë, për shkak se mbante të izoluar gruan e tij, dhe e mbikqyrte me kamera sigurie. Familjarët pretendojnë se ai ka shfaqur prej kohësh shqetësime të shëndetit mendor.
35-vjeçari mbante të burgosura në banesën e tij gratë e familjes, nënën, gruan dhe dy fëmijët e mitur. Mësohet se autori i këtij skenari të denjë për filma, është shtetasi Jetnor Zhaboli, me profesion ekonomist. Prej martesës me bashkëshorten e tij, ai ka qenë xheloz, por me kalimin e kohës gjithçka ka shkuar edhe më keq, duke i izoluar gratë e familjes totalisht nga bota e jashtme.
Gjatë kohës kur nuk ishte në banesë, ai i kontrollonte familjaret e tij përmes kamerave që kishte instaluar në çdo cep të shtëpisë, përfshirë në dhomën e gjumit dhe në tualet. Ai i kontrollonte kamerat përmes telefonit, ndërsa gruaja, nënë dhe vajza e mitur e kishin të ndaluar që të dilnin nga banesa. Zhaboli kishte instaluar gjithashtu bllokues valësh në banesë, në mënyrë që gratë të mos kishin asnjë mundësi komunikimi me persona të tjerë.
Kjo situatë në kushtet e ekstremit, përfshirë edhe dhunën fizike, e kishin çuar dy herë drejt tentativës për të vrarë veten bashkëshorten e 35-vjeçarit. Në banesë policia ka gjetur dy letra që gruaja kishte shkruar për familjaret e saj, ku iu linte lamtumirën dhe u kërkonte falje. Këtë dhunë e përjetonte edhe nëna e tij e cila ishte e pafuqishme për të kundërshtuar të birin dhe për të mbrojtur nusen dhe fëmijët e çiftit./ZËRI