
TIRANË- Mbyllja e vitit 2024 për shqiptarët, do të sjellë edhe mbylljen e aplikacionit Tik Tok. Platforma e njohur për përmbajtjen e saj argëtuese dhe shpërndarjen e videove të shkurta, ka arritur një popullaritet të jashtëzakonshëm në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë. Por në një vendim që ka shkaktuar shumë reagime, autoritetet shqiptare kanë marrë hapin për të mbyllur TikTok. Prej janarit të vitit 2025 për një periudhë 1 vjeçare platforma nuk do të jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë.
Por cila ishte arsyeja që shtyu autoritetet shqiptare të merrnin këtë hap, si do të procedohet për të zbatuar një vendim të tillë dhe cfarë ndikimi do të ketë mbyllja e aplikacionit për përdoruesit dhe bizneset që operojnë?
Kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, njoftoi mbylljen e platformës si pjesë e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla. Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës 'Fan Noli', gjatë një konflikti me një tjetër nxënës Mario Përlleshi, ndodhur më 18 nëntor 2024. Platforma fajësohet për nxitje të dhunës dhe bullizmit, veçanërisht midis fëmijëve.
Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre. Pa prova konkrete që vërtetojnë se TikTok është shkaku kryesor i problemeve të identifikuara, ndalimi mund të konsiderohet i pabazuar dhe arbitrar.
Mbyllja e TikTok në Shqipëri ka hapur një debat të gjerë mbi balancën mes sigurisë kombëtare dhe lirisë personale. Të pyetur nga ZËRI, për mendimin e tyre, shumë qytetarë janë shprehur kryesisht pro vendimit për mbylljen e platformës. Ata e shohin si një rrezik për fëmijën e tyre.
Por nga ana tjetër shumë përdorues të TikTok kanë shprehur pakënaqësi për mbylljen e këtij aplikacioni. Ata e shohin TikTok-un si një mundësi për t’u shprehur, për të krijuar dhe për të komunikuar. Ndër të tjera për shumë të rinj, aplikacioni është një mundësi për të bërë karrierë dhe për të fituar mundësi të reja profesionale. Për shkak të audiencës dhe përdoruesve, ku në Shqipëri numërohen 1,5 milion shqiptarë me një llogari në Tik Tok, shumica mbështeten tek kjo platformë për marketing, krijimin e përmbajtjes dhe fitime personale.
Përmes asaj që njihet si Live Games çojnë “gifte” dhurata virtuale që mund të konvertohen në para, një mënyrë për ndjekësit të cilër shprehin mbështetje ndaj krijuesve të përmbajtjes gjatë një ‘live’. Këto dhurata mund të dërgohen vetëm gjatë një transmetimi live. Dhuratat variojnë nga gjëra të thjeshta si "Hearts" (zemra) deri te dhurata më të shtrenjta si "Legendary" ose "Dancing Hotdog".Kur një përdorues merr një dhuratë, ajo shfaqet në ekran. Dhuratat që merren gjatë një ‘live’ mund të konvertohen në monedha TikTok dhe më pas të shkëmbehen në para të vërteta. Ky proces është i mundur vetëm pas një sasie të caktuar të grumbulluar dhe mund të bëhet përmes PayPal.
Aleks Visha, Dionis Biba, Kozak Braçi, reperi Kleviol Ahmeti, e shumë të tjerë të cilët kanë zgjedhur të përdorin platformën, janë kthyer në personazhe të njohur për publikun përmes TikTok, duke komunikuar në ‘live’, apo duke rrëfyer historitë e tyre për ndjekësit.
Përpos ndarjes së opinioneve nga qytetarët dhe përdoruesit e tij, mbyllja e platformës do të kishte një ndikim të madh edhe në ekonomi, duke prekur bizneset. Këta të fundit nëpërmjet videove të shkurtra dhe virale kanë fituar një audiencë të gjerë konsumatorësh. Shumë biznese bashkëpunojnë me influencues që kanë ndjekës të shumtë për të promovuar produktet e tyre. Ky lloj marketingu ka treguar rezultate të larta, pasi influencuesit ndihmojnë në krijimin e besueshmërisë dhe lidhjes me konsumatorët.
Influencuesit duke mos përdorur gjuhën e urrejtjes ofrojnë përmbajtje edukative ose argëtuese për ndjekësit, si këshilla për modë, make-up, ushtrime, ose receta. Ata e përdorin TikTok si një mundësi për të krijuar një bazë të madhe ndjekësish dhe për të marrë mundësi fitimi në të ardhmen përmes reklamave ose partneriteteve me markat.
Platforma e TikTok, ndryshe nga rrjetet e tjera Facebook dhe Instagram i lejon ata të reklamojnë pa kosto. Influencerët që fitojnë të ardhura nga aktivitetet e tyre në Instagram, duhet t'i deklarojnë këto të ardhura dhe të paguajnë taksat për to. Këto të ardhura konsiderohen si të ardhura nga aktiviteti i pavarur ose si të ardhura nga shërbime reklamuese. Influencerët në Shqipëri duhet të deklarojnë të ardhurat që fitojnë nga këto aktivitete dhe të paguajnë tatimet për to.
Ndryshe nga rrjetet e tjera, TikTok u jep mundësi për të etiketuar postimet si "të sponsorizuar" ose "të paguara". Influencuesit thjesht duhet të jenë të vetëdijshëm për politikat e përdorimit të TikTok, duke përfshirë ndalimin e përmbajtjes që mund të jetë e rrezikshme apo ofenduese për ndjekësit.
Por si qëndrojnë bizneset para vendimit për mbylljen e Tik Tok?
Mbyllja e Tik Tok zgjoi shumë reagime në shoqërinë shqiptare, me një diskutim të thellë mbi rëndësinë e rregullave dhe politikave që mbrojnë të dhënat personale dhe sigurinë e qytetarëve, i cili do të mbetet me shumë pikëpyetje edhe në hyrje të vitit 2025.
Teksa Shqipëria është përballë këtij vendimi, shumë vende e kanë bllokuar tashmë Tik Tok, apo kanë vendosur një kufi për moshën e përdorimit të kësaj platforme. Disa e kanë marrë këtë masë për të mbrojtur fëmijët, e të tjerë për të mbrojtur qytetarët pasi ,mund të përdoren të dhënat e tyre. Disa prej tyre janë SHBA, Australia, Estonia, Britania e Madhe, Franca, Holanda, Norvegjia, Beligjika, Kanadaja, India e të tjerë.
Në pritje të mbylljes së platformës në Shqipëri, ZËRI ka kontaktuar me kompaninë në lidhje me mënyrën se si do të procedohet për mbylljen e TikTok në vendin tonë, në rast se një vendim i tillë do të zbatohet dhe procedurat që do të ndiqen nga kompania./ZËRI