
DURRËS- Një efektiv i Policisë së Burgjeve do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme pasi dyshohet se ka kërcënuar një të burgosur në burgun e Durrësit. I burgosuri me emrin Marius, sipas gazetares Anila Hoxha, ka njoftuar prokurorinë e këtij qyteti se punonjësi e ka kërcënuar dhe i ka kërkuar 3 mijë euro.
“Do ta nxij jetën këtu në burg, nëse nuk më jep 3 mijë euro””, thuhet se i ka thënë efektivi të burgosur.
Pasi e ka paralajmëruar, polici i ka lënë në një letër të verdhë me shkrim dore numrin e llogarisë, ku familja e të burgosurit duhet të hidhte shumën.
Siç rezulton, pas denoncimit të të burgosurit prokuroria e Durrësit kreu ekspertizën e shkrimit dhe me dyshimet se shkrimi i përkiste policit ngriti akuzë ndaj tij, dhe pikërisht atë të korrupsionit.
Duke qenë se hetimi ka nisur, paratë nuk janë paguar, ndërkohë që çështja me komunikimin e akuzës dhe marrjen si të pandehur të policit u dorëzua tek një gjyqtar paraprak i këtij qyteti, i cili ka shpallur moskompetencën me konstatimin se ky hetim dhe gjykimi duhet shqyrtuar nga gjykata antikorrupsion në Tiranë. Tashmë punonjësi do të hetohet nga SPAK.