
GREQI-Një shqiptar është dënuar me burg për përndjekjen e një 40-vjeçarje nga një gjykatë në Volos të Greqisë. Mediat vendase raportojnë se 55-vjeçari është dënuar 12 muaj burg me kusht dhe gjithashtu nuk duhet t’i afrohet gruas në një distancë prej 50 metrash, si edhe nuk duhet të komunikojë kurrë me të.
Shqiptari akuzohet edhe për dhunë dhe dyshohet se ka kërcënuar gruan se do t’i hiqte rrobat dhe do ta linte të zhveshur në fshat. Sipas padisë, i pandehuri e ngacmonte që në muajt e verës. Kishte raste kur autori i dyshuar hynte në oborrin e banesës së saj dhe e godiste me grusht në gjoks.
Si ndodhi ngjarja
Raportohet se pasditen e 6 Dhjetorit, 40-vjeçarja po kthehej nga minimarketi në lagjen e saj. Përpara i doli shqiptari, i cili i kishte krijuar shqetësime prej disa muajsh. Ajo ka reaguar duke i kërkuar që të mos e prekë dhe 55-vjeçari e goditi me grusht në bark e më pas u largua duke buzëqeshur.
Gruaja fillimisht nuk telefonoi policinë nga frika se do të niste një sherr mes autorit dhe bashkëshortit të saj. Më pas, 40-vjeçarja ka shkuar në shtëpinë e të pandehurit dhe i ka treguar bashkëshortes së tij. E dhunuara ka shkuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore pasi kishte shumë dhimbje dhe mëngjesin e së shtunës ka bërë denoncimin.
Dëshmia e 40-vjeçares
“Më kapi dorën dhe më kërkoi të bënim seks. Një herë tjetër më kërcënoi se do të më zhvishte dhe do më linte lakuriq në fshat. Po përpiqesha ta zgjidhja vetë për të shmangur një grindje me burrin tim. Kam frikë nga ky njeri”, tha ajo.
Në cilësinë e dëshmitares ka dëshmuar edhe bashkëshortja 45-vjeçare e të akuzuarit. Ajo ka treguar se viktima ka shkuar në shtëpinë e saj dhe i ka thënë se do ta padisë burrin e saj pasi ai e ka rrahur dhe sharë.
“Unë do ta fus burrin tënd në burg”, i tha ajo.
45-vjeçarja deklaroi se burri i saj mohoi gjithçka kur ajo e pyeti. Vetë i pandehuri ka mohuar në gjykatë se e ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe aq më pak ta ngacmonte. Dy familjet raportohet se kanë pasur një marrëdhënie të mirë në të kaluarën, por një vend parkimi shkaktoi konflikt mes tyre./ZËRI