
TIRANË- Në kuadër të operacionit të SPAK mësohet se është shoqëruar në polici vëllai dhe kushëriri i deputetit të Partisë Socialiste Eduart Ndreca. Të shoqëruar janë Armando Ndreca dhe djali i xhaxhait Elvis Ndreca.
Kujtojmë se vëllai i deputetit të PS, Eduart Ndreca, u lirua nga qelia duke u mjaftuar me caktimin e masës “detyrim paraqitje” ndaj tij. Arrestimi i Armando Ndrecës, u bë në kuadër të komunikimeve me telefon që ka pasur me dy të arrestuarit e tjerë Armel Nikduajn dhe Elvis Shpellzain të cilët akuzohen se kishin kthyer një stan në “fermë kanabisi”. Gjykata e vlerësoi si të paligjshëm ndalimin e Ndrecës, i cili sipas prokurorisë u bë me këmbënguljen e prokurorisë bazuar në përgjimet e bëra ndaj të arrestuarve.
Burime bëjnë me dije për ZËRIN se nga 43 urdhër-arreste të lëshuara në total, janë ekzekutuar vetëm 9 prej tyre, ndërsa shumë prej personazheve më të lakuar të krimit nuk janë gjetur në banesat e tyre. Kontrolli është ndërmarrë në disa qytete, ku në Tiranë, policia është përqëndruar në banesën e vëllezërve Duka, të cilët dyshohen si autorë të vrasjes s ëish-efektivit të Polisë Santiago Malko, si dhe njihen si rivalë të Ervis Martinajt. Edhe në banesën e këtij të fundit SPAK ka ushtruar kontrolle, edhe pse bosi i lojërave të fatit rezulton i zhdukur prej afro dy vitesh.