Aktualitet

‘Çmendet’ Rusia: NATO dhe BE kanë ngritur në Shqipëri një qendër kibernetike për të na sulmuar

Sipas zëdhënëses së ministrisë së jashtme ruse, Shqipëria do të shërbejë si një vend nga ku do të kryhen sulme kibernetike ndaj shtetit lindor

E.K
‘Çmendet’ Rusia: NATO dhe BE kanë ngritur në
Rama gjate vizites ne qendren e inovacionit, dhe zedhenesja Zakharova

TIRANË- Hapja e një qendre për Inovacionin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në Shqipëri, ka nxitur një reagim të fortë të qeverisë ruse. Ishte kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e mbrotjes Niko Peleshi, ata që vizituan këtë qendër inovatore, që sipas tyre do të ketë një rol kyç kundër kërcënimeve kibernetike, ndërkohë që sipas kreut të qeverisë synohet forcimi i kapaciteteve të sigurirsë.

“Kjo qendër i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, një tjetër projekt madhor për mbrojtjen në botën digjitale, me një rol kyç në luftën kundër kërcënimeve kibernetike dhe mbrojtjes së sistemeve tona të informacionit, e ngritur falë mbështetjes së SHBA-së. Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje”, tha Rama teksa vizitoi këtë qendër.

Mirëpo sipas Rusisë, kjo qendër do të përdoret për sulme kundër tyre, nga Shqipëria, në bashkëpunim me NATO-n dhe Bashkimin Europian.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme, Maria Zakharova, gjatë një konference në Moskë akuzoi NATO-n dhe Bashkimi Europian se po zgjerojnë qendrat e tyre kibernetike të orientuara për sulme kundër shtetit të tyre.

Zakharova paralajmëroi se “në këtë mënyrë, po krijohet një tjetër burim kërcënimesh hibride në Ballkan”, duke thënë se ky është një rajon me probleme të mëdha politike.

“Fokusi i qendrave të tilla kibernetike do të jetë në Rusi, e cila për Shtetet e Bashkuara është një nga kërcënimet kryesore për stabilitetin amerikan në sferën digjitale”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Ruse.

Zyrtarja e ministrisë së jashtme pretendon se një qendër e ngjashme është krijuar në vitin 2017 në Helsinki të Finlandës, ndërsa akuzoi NATO-n për manovra të rrezikshme lufte.

“Aktualisht, në marrëdhëniet me Rusinë, blloku është kthyer në mendësinë e Luftës së Ftohtë. Në dokumentet e doktrinës së tij, vendi është shpallur, po e citoj ‘kërcënimi më i madh i drejtpërdrejtë’. Ka një grumbullim aktiv të ushtrisë në kahun lindore. Stërvitje ushtarake të një shkalle të paprecedentë. Po përgatiten për luftë kundër Rusisë dhe as që e fshehin”, shtoi ajo.

Ajo tha mes tjerash se NATO nuk ka vend në botën e re multipolare dhe se mbetet në optikën e Rusisë.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB