TIRANË- Ditën e djeshme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, hetuesit e BKH-së kryen kontrolle në disa biznesa dhe zyra, të personave të dyshuar në lidhje me dosjen e portit të Limionit në Sarandë, i cili iu dha disa biznesmenëve me qera për 20 vite, edhe pse ishte një pronë e ushtrisë shqiptare. Në mesin e personave që iu kontrolluan banesat dhe zyrat janë Artan Dulaku, Genard Kastrati, Bardhyl Kollçaku, ish-gjenerali i ushtrisë në kohën e firmosjes së kontratës dhe 3 persona të tjerë ende të pa identifikuar.
Sipas gazetarit Elton Qyno, kontrollet e SPAK janë urdhëruar pasi kanë administruar material filmik, prej 5 orësh, të dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme, nga avokati Arben Llangozi. Një moment të kësaj video, e ka transmetuar dhe ZËRI disa javë më parë, ku shihen disa prej ushatarakëve të lartë, që kërkojnë që transferimi i pronës te biznesmenët të kryhej brenda ditës, me urdhër të ministres së kohës, Olta Xhaçka.
Sipas Qynos, SPAK nuk po merret me përgjegjësit kryesorë, siç është dhe ish-ministrja Xhaçka, por me element dytësorë të dosjes, të cilët ai i konsideroi ‘bishta’.
Elton Qyno: Për të diskutuar për këtë çështje unë do të jap disa detaje teknike të cilat vijnë jo vetëm nga aksioni i sotshëm pë kryerjen e kontrolleve dhe nga mënyra se si ka marrë spunto ky operacion. Kjo çështje është regjistruar qysh prej fillimit të vitit 2022, kryesisht është bazuar tek një denoncim të ish admiralit të flotës detare Artur Meçollari dhe më pas ka filluar me mbledhjen e dokumenteve, por ajo që i dha një spunto pas vendimit të sekuestros së kësaj prone. Thjesht është sekuestruar dhe është kaluar në menaxhim nga drejtoria e pronave të sekuestruara.
Por që të vijmë tek aksioni i sotshëm është një video 5 orësh që është dorëzuar në SPAK me 15 shtator të këtij viti nga avokati Arben Llanagozi i cili ka hyrë në dijeni të kësaj videoje dhe më pas e ka publikuar këtë video. Pikërisht pas publikimit, oficeri i çështjes që ndjek këtë hetim dhe prokurorja e dosjes kanë urdhëruar që kjo video të administrohej si provë materiale në SPAK. Dhe pasi është administruar dhe është këqyrur i gjithë diskutimi i kësaj videos ku shfaqen gjeneralët kryesorë të ushtrisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm, atëherë vendoset dhe i drejtohet Gjykatës me kërkesën për lejimin e kontrolleve në disa banesa siç janë bërë gjatë ditës së sotme tek dy biznesmen dhe tek ish Shefi i Shtabit të Ushtrisë….
….Këtu merren vetëm me bishtat. Me ata që kanë përfituar dhe me dy tre elementë që kanë firmosur, por nuk merren as me Olta Xhaçkën e cila ka qenë shtytësja kryesore. Në këtë rast shtytësi kryesor i dhurimit të pronës publike tek privatët është pikërisht Ministrja e Mbrojtjes në atë kohë Olta Xhaçka. Dhe pavarësisht kësja situata nuk është bërë asnjë veprim kontrolli ndaj saj. Përveç disa deklarimeve që janë marrë nga qershori i vitit të kaluar. Dhe asnjë veprim nuk është kryer me tepër. Pra edhe kjo nuk vjen si një nisme nga SPAK, se videoja ka qenë në institucion, por vjen si një nismë nga shoqëria civile nga raportime gazetareske. Dhe SPAK është njohur me këtë prove të re me këtë mbledhje 5 orësh dhe me këtë diskutim që është bërë atje dhe pastaj është vepruar në këtë lloj forme….
Hetimi për portin e Limionit në Sarandë nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive.
Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë. /ZËRI

