MALËSI E MADHE-Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet ditën e sotme për Mirel Çokaj, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në Malësinë e Madhe. 40-vjeçari u gjet i pajetë në një humnerë në malet e Kelmendit, në Malësinë e Madhe, më 18 shtator të këtij viti, por sot nisi zyrtarisht hetimi për vdekjen e tij.
Familjarët e 40-vjeçarit kanë ngritur dyshime për vrasje, duke pretenduar se ai ndodhej në një parcelë kanabisi, rreth një orë larg vendit ku u gjet trupi. Sipas tyre, kanabisi ishte gati për t’u korrur, dhe pikërisht në këtë periudhë Çokaj humbi jetën. Dyshimet janë shtuar edhe për faktin se telefoni i tij nuk është gjetur ende, çka ka ngritur hipotezën se mund të jetë zhdukur qëllimisht për të fshehur provat.
Motra e tij, Mirjana Çokaj, duke folur për mediat akuzon ortakun e vëllait të tij për ngjarjen, pasi i vëllai sipas saj është vrarë për çështje droge. Mirjana Çokaj kërkon drejtësi nga shteti për të vëllanë dhe tregon detja nga ngjarja.
Mirjana Çokaj: Sa dola nga prokuroria, në lidhje me vdekjen e vëllait tim, Mirel Çokaj, që u gjet i vdekur në Malet e Kelmendit. Unë dyshoj se ai është vrarë për parcelat me drogë. Ai dyshohet se është vrarë për një parcelë me drogë që u gjet në Malësinë e Madhe. Në atë parcelë janë gjetur 980 rrënjë drogë. Policia e Shtetit e ka asgjësuar. Vitet e fundit vëllai im është marrë me drogë. Ai ka qenë i dënuar për drogë. Unë kur u përballa me ortakun, se nuk mundesha të ecja rrugës më. Ai eci përpara meje dhe e gjeti vëllanë rrugës. Gëzim Preldalkaj tha se vëllai im kishte rënë në humnerë dhe se kishte vdekur. Ai tha se telefonin e kishte dëgjuar dhe se kishte rënë dhe zilja. Ai tha se nuk e kishte prekur me dorë telefonin, por celulari nuk u gjet. Dua të di se ku e dinte ai se ku kishte vdekur vëllai im. Dua që ta zgjidh çështjen e vëllait tim se dyshoj se dikush nga ortakët e tij ka dorë në vrasjen e vëllait. Nga telefonatat që mund të ketë bërë, do ketë thirrur furgonin. Dyshoj se vëllai ka ndryshuar rrugën. Dyshoj te ortaku i vetë. Vëllai se ka pasur që të kthehet atë ditë, por u kthye dy ditë më parë. Ai devijoi rrugën dhe shkoi te ai shteg. Vëllai im ose është shtyrë, ose dikush i ka rënë nga pas. Dua që të zgjidhet çështja e vëllait tim.
Në orët e pasdites së 17 shtatorit fillimisht përmes dronit, efektivët konfimuan se trupi i pajetë i përkiste shtetasit Mirel Çokaj. 24 orë pas njoftimit u bë e mundur nxjerrja e viktimës nga humnera përmes një helikopteri të Forcave të Ushtrisë të cilët erdhën dhe nxorën trupin e pajetë. Pas ngjarjes, policia gjeti dhe asgjësoi 780 bimë kanabis sativa në zonën ku ndodhej parcela./ZËRI