
TIRANË- Katër familjarë të Agim Hoxhës janë shoqëruar në polici dhe janë marrë në pyetje nga Policia në lidhje me ekzekutimin e Arben Lleshit brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin nga Sokol Mjacaj. Dyshohet vrasje me pagesë për gjakmarrje pasi familja Hoxha dhe LLeshi ishin në një sagë të gjatë hakmarrjeje që deri më tani ka marrë 4 jetë (5 nëse konfirmohet se vrasja e Lleshit është bërë me urdhër të tyre). Pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë.
Si nisi hakmarrja?
Gjithçka nisi në Britaninë e Madhe, ku pas një sherri që dyshohet për pazare droge u vra Agim Hoxha. Vrasësi i tij ishte Arben Lleshi. Hoxha dhe Lleshi kishin një miqësi të hershme së bashku, e cila datonte që prej fëmijërisë së tyre, por u kris. Shkak dyshohet të jenë bërë pazaret e drogës. Agim Hoxha u vra në Britaninë e Madhe dhe më pas trupi iu dogj brenda makinës.
Autoritetet britanike e gjetën fajtor Lleshin për ngjarjen dhe e dënuan me 32 vite burg. Pas ekstradimit drejt Shqipërisë, ai kishte për të kryer dhe 28 vite të mbetura, të cilat këtë të premte nuk i çoi deri në fund pasi u ekzekutua nga Sokol Mjacaj.
Pavarësisht se drejtësia e tha fjalën e saj, familja Hoxha kishte tjetër skenar në mendje. Të niste hakmarrjen, e cila deri më tani ka regjistruar katër viktima. (5 nëse konfirmohet se vrasja e Lleshit erdhi me urdhër të tyre).
Në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi. Atij iu bë pritë në vendin e quajtur ‘Pujkë’. Më 15 maj të vitit 2016 u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhavitit, në fshatin e lindjes në Burrel. Goditjet nga familja Hoxha vijuan dhe një vit më vonë. Në vitin 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz. Në Kamëz, ai u pa për herë të fundit nga kamerat e sigurisë së një lokali dhe që nga ajo kohë nuk dihet se çfraë ka ndodhur me të.
Hakmarrjet vijuan. Me Arben Lleshin në burg, familja Hoxha priti që Klevis Hoxha, djali i Xhavit Lleshit, të ekzekutuar në vitin 2013 të rritej dhe të vijonin sagën e hakmarrjes. Klevisit, atëherë 22 vjeç i erdhi radha. Ai u mor peng në qendër të Burrelit dhe më pas u zhduk. Derisa dy vite më parë eshtrat e tij u gjetën të groposura në Mamurras. Gishtin i fajtorëve në të gjitha rastet u drejtua nga familja Hoxha.
Me sa duket vrasja e Arben Lleshit, do të jetë dhe pika e fundit e njjë sage të pamëshirshme hakmarrjeje që nga Britania e Madhe u shtri dhe u finalizua në Shqipëri.
Çfarë ndodhi dje?
Ngjarja e rëndë cënoi rëndë sigurinë në burgjet e vendit duke përbërë një skandal të paprecedentë. Sokol Mjacaj e ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marr peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Mjaçaj do të izolohej në regjimin e posaçëm “41 Bis”, por me sa duket kishte dhe një mision për të kryer. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Në tentativë për të iu grabitur makinën Sokol Mjacaj i ekzekutoi të dy. Ngjarje e ndodhur në fshatin Lotaj të Dukagjinit./ZËRI