VLORË- Gjykata e Vlorës ka konfirmuar sot masat e sigurisë për 3 personat, të cilët dyshohen si autorë të pengmarrjes së Fisnik Xhakës nga Kosova. Konkretisht, masa "arrest me burg" për Orest Çorapajn dhe Julian Zogajn, si dhe "arrest shtëpie" për Vilson Agajn.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 11 dhjetorit, ndërsa në datën 12, u bë i mundur kapja dhe arrestimi i autorëve. Sipas burimeve, Fisnik Xhaka u mor peng nga 3 të rinj vlonjatë, për shkak të prishjes së pazareve të drogës, ku 39-vjeçarit i kërkohej një shumë prej 70 mijë eurosh, pasi kishte dalë garant për një sasi lënde narkotike në një shtet europian.
Vetë Xhaka, ka kyçur gojën në polici, dhe nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me konfliktin që ka çuar në pengmarrjen e tij, ndërkohë që ka qenë një familjare e 39-vjeçarit ajo që ka dhënë alarmin për zhdukjen e tij. Bëhet fjalë për motrëne tij, e cila me banim jashtë vendit, ka telefonuar policinë e Vlorës, dhe më pas gjatë kontrolleve është bërë e mundur dhe lokalizimi i 39-vjeçarit, i cili përgjatë këtyre dy javëve dyshohet se dhe është dhunuar.
Mësohet se pala mbrojtëse pretendon se Xhaka ka mbërritur nga Kosova në Vlorë me valixhe dhe veshmbathje personale, me qëllimin për të qëndruar aty për një periudhë kohe. Kjo është konfirmuar edhe e shërbimeve të Policisë Gjyqësore, të cilët gjetën valixhen me rroba në banesën ku pretendohej se janë gjetur të rinjtë dhe “pengu” i tyre./ZËRI