
DURRËS – Shqipëria është përfshirë sot nga një mot i keq, me reshje të shiut dhe dëbore. Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton se ka ndryshime të orareve të nisjes së trageteve nga vendi ynë, për shkak të motit të paqëndrueshëm. Tragetet nga Durrësi pritet të nisen ditën e nesërme, 26 nëntor.
Autoritetet detare njoftojnë se për shkak të erërave të forta dhe reshjeve të dendura, është bllokuar edhe lundrimi i trageteve e anijeve të peshkimit në Vlorë.
“Si rezultat i kushteve te veshtira meteorologjike Anijet pasagjere te linjes Durres-Bari -Durres, nuk do te nisen ne orarin e caktuar,por do te nisen nga te dy portet respektive ne daten 26.11.2023 ne mesdite. Trageti i linjes Ankona -Durres mberrin neser ne Durres ne mesdite.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjere dhe automjete që operojnë në portin e Vlorës në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë sot e ka ndërprerë lundrimin për shkak të kushteve hidrometeorologjike të përkeqësuara.
Linja Sarande -Korfuz-Sarande ka vazhduar normalisht pa probleme. Te interesuarit te kontaktojne agjensite respektive per informacione te mëtejshme” njofton Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Moti i keq ka përfshirë gjithë territorin e vendit tonë. Reshje shiu kanë rënë në të gjithë Shqipërinë, ndërsa në zonat malore ka rënë dëborë./Zëri.ai/