
SUKTH- Të tjera detaje mësohen për vetëflijimin e 41-vjeçares Bedrie Loka në Sukth të Durrësit.
Një nga vëllezërit, Avdi Bushi deklaroi për mediat se motrën e saj e çoi drejt varrit bashkëshorti i saj, Xhemal Loka. Ai tha se motra e tij nuk e ka parë një ditë të bardhë në 23 vite martesë. Avdi Bushi theksoi se Xhemal Loka e kaloi jetën më së shumti jashtë shtetit dhe nëpër burgje, derisa në fund e çoi motrën e tij drejt vdekjes. “Do iu lutem mediave shqiptare, kanaleve televizive, mos ia nxini fytyrën sikur e mbyti TikToku. Atë nuk e vriste asgjë, jo ta vriste TikToku. Motrën ma ka vrarë burri i saj. Do i lutem shtetit shqiptar që të zbardhë çështjen. Motra ime ka 23 vjet martesë dhe nuk e ka parë një ditë të bardhë. Burri i vet e mori dhe derisa e çoi tek varri, ka qenë vetëm nëpër burgje”, deklaroi Avdi Bushi.
Vëllai tjetër, Mahmut Bushi ka thënë në polici se motrën e tij nuk e ka vrarë bullizmi në TikTok, por dhuna psikologjike dhe fizike e bashkëshortit. “Motrën tonë nuk e vrau TikToku, por bashkëshorti”, ka thënë Mahmut Bushi, një nga vëllezërit e Bedrie Lokës. Mahmut Bushi tha për News24 se ka qenë bashkëshorti Xhemal Loka që e ka çuar 41-vjeçaren drejt vdekjes.
“Motrën tonë nuk e vrau Tik Tok, e vrau bashkëshorti! Ne jemi të mendimit që bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike. Ja thamë policisë që bashkëshorti e ka çuar deri në vetëvrasje. Sot kemi hapur dyert e mortit dhe presim ngushëllime”, tha vëllai i viktimës Bedrie Loka.
Bedrie Loka i dha fund jetës në 2 janar. Ajo është bullizuar në TikTok, teksa emri i saj ishte denigruar në rrjetin social. Përpos kësaj, dyshohet se 41-vjeçarja dhunohej vazhdimisht nga bashkëshorti, Xhemal Loka. Ky i fundit u arrestua nga policia, pas hetimeve të kryera./ZËRI/