
TIRANË- 5 ekspertët që kanë përcaktuar dëmin e demontimit në Gërdec u paraqitën sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por nuk folën dot. Kjo pasi në sallë sot munguan dy prokurorët, Arben Kraja dhe Klodian Braho, për shkak se kishin angazhime të tjera. Si pasojë, seanca u shty për një datë tjetër. Por pavarësisht kësaj, ekspertët deklaruan në gjykatë se nuk kanë pse të jenë pjesë e procesit.
“Kemi qenë të atashuar në prokurori për shkak të detyrës që kemi patur, por nuk kemi qenë të licensuar. Nuk mbajmë mend çfarë kemi bërë përpara 16 vitesh. Atë që kemi patur për të thënë e kemi bërë përpara 16 vitesh përballë prokurorit Sokol Stojani. Si mund të përgjigjemi ne sot kur kanë kaluar 16 vite. Unë nuk jam ekspert, të vijë prokurori Stojani në gjyq me të cilin kemi folur në atë kohë”.
“Jemi mbi 70 vjeç, çfarë mund të dëshmojmë për diçka kur ka kaluar kaq kohë. Sa akte kemi bërë ne si mund të pretendohet të mbajmë mend të gjitha”.
Ndërkohë që përgjigjen e kanë marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila iu tha dëshmitarëve se: Jeni të detyruar të jepni shpjegime para gjykatës për një akt që e keni bërë ju.
Të 5 ekspertët do të dalin sërish para gjykatës më 12 qershor në ora 09:00.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën 300 të tjerë./ZËRI