TIRANË- Publikimi dhe shpërndarja në mediat online dhe rrjetet sociale e materialeve audiovizive intime që lidhen me persona publikë ka nxitur reagimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Unioni e konsideron fenomenin një problem serioz etik dhe kërkon ndalimin e qarkullimit të këtyre materialeve në hapësirën publike.
Në deklaratën e publikuar më 30 shtator, UGSH thekson se privatësia nuk mund të kthehet në përmbajtje mediatike vetëm për shkak të interesit që mund të ngjallë një personazh publik. Sipas Unionit, publikimi i materialeve të regjistruara në rrethana private, veçanërisht kur dyshohet se janë siguruar përmes hakerimit ose ndërhyrjeve të paligjshme përbën një cenim të rëndë të normave etike.
Reagimi vjen në një kohë kur materiale të tilla po qarkullojnë në platforma online duke u ripublikuar dhe shpërndarë në kontekste të ndryshme. UGSH paralajmëron se përdorimi mediatik i përmbajtjeve private mund të shndërrohet edhe në instrument sulmi ndaj personave të përfshirë.
“Qarkullimi dhe publikimi i sekuencave audiovizive me imazhe erotike personazh publikë është një akt i rëndë etik dhe me pasoja”, thuhet në deklaratën e Unionit.
UGSH e lidh këtë fenomen me atë që e konsideron një përshkallëzim të cenimit të privatësisë në hapësirën online shqiptare. Organizata thotë se publikimi i videove intime në media dhe rrjete sociale nuk mund të justifikohet nga fakti se personat e përfshirë kanë njohje apo ekspozim publik.
Në raste të caktuara këto materiale janë përdorur edhe në përpjekje për të dëmtuar figurën publike të personave të përfshirë duke sjellë pasoja morale dhe familjare.
Përballë këtij fenomeni UGSH u bën thirrje mediave dhe veçanërisht drejtuesve editorialë që të respektojnë Kodin Etik të Medias Shqiptare dhe të shmangin publikimin apo shpërndarjen e materialeve që cenojnë privatësinë.
Unioni kërkon gjithashtu forcimin e mekanizmave të vetërregullimit në komunitetin mediatik duke propozuar një bashkëpunim më të gjerë mes gazetarëve, editorëve dhe institucioneve profesionale për të parandaluar raste të ngjashme.
“UGSH vëren se nismat vetërregulluese ndaj këtij realiteti problematik duhet të paraprijnë nismat rregulluese”, thuhet më tej në deklaratë.
Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Qarkullimi dhe publikimi i sekuencave audiovizive me imazhe erotike personazh publikë është një akt i rëndë etik dhe me pasoja. Mediat përherë duhet të dëshmojnë përgjegjësinë dhe ndërgjegjen etike në raport me audiencat dhe publikun
Tiranë më 30.09.2026
Raportimet dhe publikimet nëpër mediat online dhe rrjetet sociale për episode audiovizive intime personazh me njohje publike dhe me investim publik, janë pjesë shqetësuese dhe ndotjeje etike publike, janë akt antiligjore dhe shkaktojnë pasoja dhe impakte të dënueshme nga vetë shoqëria e aq më tepër nga komuniteti i mediave dhe gazetarëve profesionistë. Qarkullimi i tyre, shpërndarja dhe përdorimi në kontekste të ndryshme, janë cënime të kodeve etike dhe shkelje e Kodit Etik të Mediave.
UGSH vëren se niveli i ndotjes etike në hapësirën online shqiptare po njeh nivel të ri alarmues.
Lëndimet, përdhosjet dhe shkeljet e normave të privatësisë dhe privacisë janë bërë të shpeshta dhe inkurajojnë një të ashtuquajtur “ entitet të gazetarisë rozë”. Shpërndarja dhe publikimi i sekuencave apo videove me imazhe erotike në kushte dhe mjedis privat të personave me njohje dhe impakt publik në rrethana hakerimi apo për arsye që meritojnë hetim, përbën një akt të paskrupullt.
Në jo pak raste përdorimi i këtyre episodeve, videove dhe materialeve private në akte mediatizuese dhe procese sulmimi ndaj personave publikë, pason me drama të rënda psikologjike, morale dhe familjare.
UGSH bën apel për respektim të parimeve dhe neneve të Kodit Etik të Medias Shqiptare.
Kërkon nga mediat dhe veçanërisht editori i spektrit multimedial i hapësirës shqiptare, organizatat dhe entet profesionale dhe publike, të ndërhyjnë me energjizëm dhe kurajo ndaj kësi fenomenesh, rastesh dhe praktikash për ndalimin dhe moshpërndarjen e tyre në publik.
UGSH vëren se nismat vetërregulluese ndaj këtij realiteti problematik duhet të paraprijnë nismat rregulluese.
Eshtë e domosdoshme të riprojektohet një aleancë gjithëbashkuese aktorësh të vetërregullimit në komunitetin e gazetarëve profesionistë dhe në partneritet me editorët e spektrit multimedial të vendit si dhe me institucionet vetërregulluese.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë /ZËRI