
SHBA- Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Jim O’Brien ka pritur në një takim drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, gjatë vizitës që një delegacion i prokurorisë së posaçme është duke kryer në SHBA. Në reagimin e tij pas takimin O’Brien shkruan se askush në Shqipëri nuk duhet të jetë mbi ligjin, dhe se SHBA do të vazhdojë të ndjekë nga afër rezultatet e Reformës në Drejtësi.
“I kënaqur që takova shefin e SPAK-ut, Altin Dumanin. Është mbresëlënëse të shohësh reformën në drejtësi që jep rezultate reale për popullin shqiptar, duke treguar me veprime se askush nuk është mbi ligjin. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm reformën në drejtësi, e cila është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, shkruan O’Brien.
Prej disa ditësh një delegacion i Prokurorisë së Posaçme është duke kryer një vizitë në SHBA, ku kanë pasur takime dhe me përfaqësues të DEA dhe FBI. Vizita vjen në një kohë kur SPAK është në qendër të kritikave nga opozita në Shqipëri, pas hetimeve në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, nën dyshimet për korrupsion. Megjithatë SHBA duket e vendosur për të mbështetur punën e SPAK, dhe në tërësi Reformën në Drejtësi, që ka qenë një prej prioriteteve të tyre në Shqipëri. /Zëri.ai