Aktualitet

Nën hetim pasi foshnja 7-muajshe humbi jetën, pediatri: S'mund të shpallem fajtor nga opinioni publik, të përfundojnë hetimet...

Pediatri deklaron se po i bëhet një gjyq publik dhe shprehet se nuk mund të shpallet dikush fajtor pa përfunduar ende ekspertiza mjekoligjore dhe pa u sqaruar faktet nga organet kompetente. 

F.I
Nën hetim pasi foshnja 7-muajshe humbi jetën, pediatri: S'mund
FOTO ILUSTRUESE

GJIROKASTËR-Pas rastit të raportuar në media, ku më datë 21 korrik në Gjirokastër, një foshnjë vetëm 7-muajshe e nisur me urgjencë në spitalin rajonal “Omer Nishani”, ndërroi jetë gjatë rrugës, një deklaratë publike ka ardhur nga një prej mjekëve pediatër të vendosur nën hetim. Dy mjekët pediatër janë proceduar penalisht në dyshimet se mund të kenë neglizhuar trajtimin mjekësor të foshnjës në dy raste gjatë muajit korrik.

Pediatri Mikel Koti me anë të një reagimi në rrjete sociale i ka shprehur ngushëllime familjes së foshnjës, ndërsa thekson se i gjithë dokumentacioni mjekësor është në dispozicion të institucioneve përgjegjëse, të cilat do të kryejnë vlerësimin objektiv të ngjarjes. Koti deklaron se po i bëhet një gjyq publik dhe shprehet se nuk mund të shpallet dikush fajtor pa përfunduar ende ekspertiza mjekoligjore dhe pa u sqaruar faktet nga organet kompetente. 

Pediatri thekson se publikimi i emrit të tij dhe fotos së tij po e shfaq si fajtor përpara çdo përfundimi zyrtar, duke i sjellë pasoja të rënda personale, profesionale dhe familjare.

Deklarata publike:

Në ditët e fundit, emri dhe fotografia ime janë publikuar gjerësisht në media dhe rrjete sociale në lidhje me ngjarjen tragjike të humbjes së jetës së një foshnjeje 7-muajshe. Së pari, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen. Humbja e një fëmije është një dhimbje që nuk mund të përshkruhet me fjalë.

Megjithatë, nuk mund të pranoj që, pa përfunduar ende ekspertiza mjekoligjore dhe pa u sqaruar faktet nga organet kompetente, të shpallem fajtor në opinionin publik. Në një shtet të së drejtës, përgjegjësia nuk përcaktohet nga titujt e mediave apo komentet në rrjetet sociale, por nga provat dhe vlerësimet profesionale. Për shkak të detyrimit ligjor dhe etik për të ruajtur konfidencialitetin e pacientit, nuk mund të komentoj detajet e rastit në publik. I gjithë dokumentacioni mjekësor është në dispozicion të institucioneve përgjegjëse, të cilat do të kryejnë vlerësimin objektiv të ngjarjes.

Ajo që kërkoj është vetëm respektimi i një parimi themelor: askush nuk duhet të paragjykohet apo të dënohet publikisht përpara se të përfundojnë hetimet dhe ekspertizat përkatëse. Publikimi i emrit dhe fotografisë sime, duke më paraqitur si fajtor përpara çdo përfundimi zyrtar, ka sjellë pasoja të rënda personale, profesionale dhe familjare. Besoj se çdo qytetar, pavarësisht profesionit, gëzon të drejtën për një proces të drejtë dhe për respektimin e prezumimit të pafajësisë. Kam besim se institucionet kompetente do të zbardhin të vërtetën dhe se faktet do të flasin më qartë se çdo aludim apo gjykim i nxituar. Faleminderit për mirëkuptimin.

Nën hetim pasi foshnja 7-muajshe humbi jetën, pediatri: S'mund

Poll

MOS HUMB