Aktualitet

Nën kurthin e monopolit të mbetjeve

Për të kuptuar këtë “përkrahje”, le t’i kthehemi vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë (Tiranë), në mars të 2019.

Redaksia Zëri
Nën kurthin e monopolit të mbetjeve
Mbetjet

TIRANË- Edhe pse “Eco Cleaning” nuk arriti që të ngrinte stacionin e transferimit, shoqëria vijoi zbatimin e kontratës me Kamzën edhe katër vite të tjera, deri kur vendosi që të largohej vitin e shkuar, madje pa pritur vendimin në Apel. Administratori i shoqërisë thotë se zbatimi i mëtejshëm nuk ishte fitimprurës; sipas tij ishin shtuar kostot: paga minimale, karburanti; rrjeti rrugor ishte zgjeruar, kësisoj edhe kilometrat dhe numri i kazanëve. Ndaj dhe korrikun e shkuar, bashkia themeloi vetë ndërmarrjen e pastrimit për të vazhduar menaxhimin e mbetjeve. Por bashkia ndodhet njësoj e rrezikuar. As ajo nuk mund të ngrejë një stacion transferimi dhe me gjasë të pësojë të njëjtin fat si “Eco Cleaning”, e cila kjo e fundit, dështoi në ngritjen e stacionit në momentin kur nuk u pajis me leje mjedisore nga AKM. Dhe kur çështja shkoi në gjyq, gjyqtari vendosi në favor të AKM-së. Për të kuptuar këtë “përkrahje”, le t’i kthehemi vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë (Tiranë), në mars të 2019. “Eco Cleaning” paditi AKM, sepse kjo e fundit i refuzoi lejen mjedisore, që do të bënte të mundur ngritjen dhe operimin e stacionit të transferimit. Ngritja e stacionit ishte edhe një detyrim kontraktual, kundrejt bashkisë.

Gjatë seancës, gjykata parashtroi se ngritja e stacionit krijonte mbivendosje shërbimesh në aktivitetin e “Integrated Energy”, e cila ka nënshkruar në vitin 2017 një kontratë koncensionare me MTM për menaxhimin e mbetjeve të qarkut të Tiranës në landfillin e Sharrës që përfshijnë edhe mbetjet e Kamzës. Objekt i kësaj kontrate është, ndër të tjera, edhe ndërtimi dhe operimi i veprave për mbetjet e Qarkut Tiranë. Impianti i diferencimit të mbetjeve ishte një nga veprat në fjalë. Pra diferencimi i mbetjeve përbënte detyrim kontraktual në të dyja marrëveshjet. Por gjykata ritheksoi atë çka thuhej në kontratën koncensionare të Sharrës se ngritja e sistemit të diferencimit mbetej një e drejtë ekskluzive dhe nuk mund të cënohej nga të tretë. Dhe në të vërtetë, në nenin 5.4.2. thuhet: “… (as) autoriteti kontraktues dhe as ndonjë entitet tjetër shtetëror, qoftë ky në nivel qëndror apo vendor, nuk do t’i japë askujt të drejta… (për) ndërtimin e impianteve në këtë zonë që do të sillte si pasojë rënien e sasisë  minimale të garantuar të mbetjeve”. Kuptohet, që në këtë mënyrë, shoqëria koncensionare në Sharrë siguron që çdo ton të përfundojë në landfill e nuk firon rrugës. Kështu, ekskluziviteti i cili ndalon ngritjen e stacionit të transferimit dhe të diferencimit, tashmë i përkrahur edhe në një vendim gjykate, mund të penalizojë, duke e detyruar që të dërgojë mbetjet e patrajtuara në Sharrë, jo vetëm Bashkinë e Kamzës, por të gjitha bashkitë e qarkut (përfshirë Tiranën).

Mungesa e të ardhurave nga riciklimi i mbetjeve, rrit kostot e menaxhimit për bashkitë dhe demotivon ndarjen e mbetjeve në burim. Akoma më shumë, dërgimi i dëngjeve të patrajtuara të mbetjeve bashkiake, drejtpërdrejt, në Sharrë, e bën riciklimin joefektiv edhe për vetë shoqërinë koncensionare, pasi bashkimi i kategorive të ndryshme të mbetjeve urbane gjatë grumbullimit ul vlerën ekonomike të trajtimit, si dhe shton nevojën për venddepozitime të reja. Vënia e “Integrated Energy” në gusht 2023, nën masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” e që kësisoj administrohet nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), si dhe arratia e disa prej pronarëve përfitues të cilët ndodhen në kërkim nga Prokuroria Speciale, e bën të vështirë komunikimin me përfaqësuesit e shoqërisë; ndërkohë që kryetari i zgjedhur i Tiranës, i bashkisë e cila mbush rreth 70% të kapacitetit të landfillit të Sharrës, është arrestuar për korrupsion. Vendosa të dëgjoj se ç’mendonte për gjendjen e mbetjeve një prej ekspertëve dhe investitorëve më të rëndësishëm të industrisë së riciklimit në vend, Vullnet Haka, njëkohësisht, anëtar i bordit drejtues të shoqatës së ricikluesve. Haka ka spikatur prej vitesh në diskutimet publike për keqmenaxhimin e mbetjeve, ndonëse prej vitesh vendimmarrja refuzon të dëgjojë.

“Nuk mund të dërgosh mbetje pa i ndarë, fillimisht nga vetë konsumatorët, e më pas, nëpërmjet dërgimit në stacione transferimi. Kjo mënyrë mbledhjeje është krim ekonomik. Ne humbasim të ardhura, vende pune, ndotim më shumë: tokën, ujërat, por edhe ajrin duke shtuar emetimet”. Ai fillon të shpjegojë me sigurinë dhe pagabueshmërinë e një eksperti, për gjëra të cilat shpesh janë të kuptueshme edhe për një auditor të patrajnuar. “Kur mbetjet e lëngshme marrin kontakt me mbetjet e ngurta kontaminojnë njëra-tjetrën; akoma më keq kur i fusim në kontenierë për t’i transportuar, sepse, praktikisht, kështu përzihen edhe më shumë nga leva e presimimit. Në të kundërt, nëse do t’i trajtonim ndarazi, përgjatë tërë zinxhirit të transferimit, nga grumbullimi nëpër kazanë e deri te prodhuesi përfundimtar, do të gjenerohej një ekonomi disa qindra dollarëshe për ton. Ndërkohë, duke i dërguar të patrajtuara në Sharrë, aktualisht paguajmë (bashkitë) jo më pak se 50€ për ton”. Në 4 shkurt shoqëria Integrated Energy BV SPV sh.p.k. i paralajmëroi bashkitë për “ezaurimin e kapacitetit depozitues” të Sharrës, që do të thotë se landfilli prej 15 ha, me kapacitet 2,900,000 tonë është mbushur.

Në këto rrethana, ajo u kërkon bashkive ndarjen në burim, duke synuar frenimin e dërgimit të sasive të panevojshme të mbetjeve në landfill. Por nga ana tjetër, shoqëria nën sekuestro, ka kërkuar edhe zgjerimin e landfillit me kapacitet depozitimi prej 500,000 tonë. Por në kushtet kur landifilli ndodhet në prag të kolapsit ekologjik për shkak të ezaurimit të kapacitetit, mbushja e qelizës shtesë, përveç se do të groposte edhe 15 ml.€ të tjera nga buxheti, do të siguronte një zgjidhje të përkohshme dy vjeçare, nëse do të merrnin në konsideratë vetëm depozitimin e mbetjeve të Tiranës, pa llogaritur sasitë e bashkive të tjera. Çfarë mund të kërkohet pas dy viteve? Duket si kombinim mes alarmit dhe paradoksit. “Nuk ka ndarje në burim pa stacione transferimi, veçanërisht kur bashkitë nuk janë të vogla”, – konstaton Haka. “Është prioritizimi i tonazhit në kurriz të riciklimit dhe mospërballja me kostot reale që e ka shndërruar menaxhimin e mbetjeve në mision të pamundur” – përfundon ai.

Në dokumentet e planit të ri të mbetjeve të Kamzës, ndarja, seleksionimi dhe riciklimi, por edhe kompostimi mbeten arritje të së ardhmes; shpesh, një formë që shërben për të pranuar, teorikisht, përgjegjësitë, por duke i shmangur detyrimet në praktikë. Kësisoj, duke ua shkarkuar kohës, burokratët ua kalojnë përgjegjësitë të tjerëve. Në tri dekada kemi operuar nën këtë premtim të rremë, dhe pa dhënë llogari. Përse të mos ishte hartimi dhe miratimi i një plani mbetjesh një moment krenarie e gëzimi për të zgjedhurit lokalë? Duket se kriza në brigjet e Tërkuzës ka kapluar edhe mendjet e nëpunësve bashkiakë. 

Në kushtet e përplasjes, kur “ekskluziviteti” i kontratës së Sharrës, pengon ngritjen e stacionit të transferimit nga bashkitë e qarkut, vendosa t’i drejtohem akademike Aurela Anastasi, me kontribute në lëmin e së Drejtës Kushtetuese, për të parë mundësitë ligjore që mund të kundërshtojnë një situatë monopoliste. Anastasi vlerësoi se çështja kishte interes të madh publik që lidhej me të drejtën për një mjedis të shëndetshëm dhe që ishte një e drejtë kushtetuese. “Së pari, kërkohet një bashkërendim nga të dyja pushtetet. Por në mungesë të veprimit të organeve kompetente çështja mund të shtrohet përpara Gjykatës Kushtetuese nga organizata që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e mjedisit. Qytetarët kanë të drejtë të jetojë në një mjedis të pastër dhe jo vetëm Kamza, por çdo bashki është e detyruar t’ua sigurojë” –  këshilloi ajo. 

Kur Kryeministri Rama mori pushtetin në 2013, përpjekja për të zgjidhur krizën e mbetjeve ishte nga punët e para të qeverisë që ai krijoi. Por ajo çka nisi me entuziazëm përfundoi me denoncime e me procese gjyqësore; me komisione hetimore e dënime penale për nëpunës të lartë e ministra të korruptuar. Menaxhimi i mbetjeve u shndërrua në aferën e mbetjeve. Me qindra e qindra raportime të dedikuara për mbetjet u bënë pjesë e një debati publik kronik. Sot, pas më shumë se një dekadë në pushtet, i të njëjtit kryeministër, emergjenca e mbetjeve vijon të kërcënojë mirëqënien ekonomike, hapësirën dhe shëndetin publik, ndërkohë që entuziazmi elektoral mungon. 

Po zgjidhja është ende aty. Edhe njerëzit./nyje.al

Poll

MOS HUMB