
TIRANË- Dëshira e Eduart Goseni, nënë e bir janë vënë në pranga në Tiranë pasi akuzohen se janë pjesë e një organizate kriminale dhe se kanë trafikuar lëndë narkotike. Dyshja do të ekstradohen në Itali, vend ku kanë zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal për të paktën pesë vite. Emri i 44-vjeçarit u bë publik kur u shkatërrua rrjeti kriminal që kishte shitur qindra kilogramë kokainë në Milano dhe u vunë në pranga 16 shqiptarë.
Pikënisja e hetimeve ishte arrestimi i korrierit Daniele Carra, një italian 57-vjeçar, i cili u kap në Zvicër me 5.9 kilogramë heroinë dhe për të lehtësuar pozitën e tij, vendosi të bashkëpunojë me policinë.
Ai zbuloi se grupi drejtohej nga anëtarë të dy familjeve, ‘kokat’ e të cilëve ishin: Shkëlqim Lusha dhe Eduard Goseni. Hetimet vijuan dhe autoritetet italiane nisën të përgjonin Gosenin, të cilit i zbuluan dhe një bisedë me të ëmën, mjaft kompromentuese. Dëshira Goseni, në merak për të birin, i jepte këshilla lidhur me punën.
“Puno pak më ndryshe, mos i beso askujt derisa të zgjidhësh problemet që ke,”- është përgjuar t’i thotë ajo të birit. Eduard Goseni drejtonte shpërndarjen e drogës dhe mbante llogaritë.
Ai gjithashtu ka pasur edhe një bazë ku shfrytëzonte vajza të ndryshme nga vendet lindore si punonjëse seksi. Shumë prej tyre dhunoheshin e kërcënoheshin për të shkuar me klientët. Atyre u bëheshin foto gjatë skenave intime, të cilat përdoreshin si formë presioni në rast se refuzonin të vijonin aktivitetin me klientë të ndryshëm.
Paratë që përfitoheshin nga prostitucioni dhe shitja e lëndëve narkotike dërgoheshin në Shqipëri, përmes pikave të transfertave ose autobusëve. Tashmë pritet dhe hetimi i pasurisë së anëatrëve të grupit.