
STRASBURG – Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, në debatin e mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europë, ka rrëfyer masakrën e ushtrisë serbe ndaj familjes së saj, gjatë kohës së luftës. Ajo tregoi se nga sulmi i forcave serbe, i janë vrarë anëtarë të familjes, ndërsa vetë është plagosur.
Bogujevci, përpara Asamblesë, ku po diskutohej për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka treguar shenjat që kanë lënë plumbat e ushtrisë serbe në trupin e saj. Ajo tha se për këtë krim, nuk ka pasur drejtësi.
“25 vite më parë, kam qenë 13 vjeçe dhe kam mbijetuar nga një masakër e ushtrisë serbe. Në atë kohë, Serbia drejtohej nga njerëz, që akoma janë në pushtet në shtetin serb. Si adoleshente, unë mbeta e shtrirë mes trupave të familjarëve të mi, duke pasur 16 plumba në trup. Kam akoma shenja në trupin tim të plumbave, disa prej të cilave në dorë”, deklaroi Bogujevci.
Saranda Bogujevci shtoi se edhe pas 25 viteve pas masakrave serbe mbi shqiptarët, Kosova vijon që të sulmohet.
“Po shikoj se edhe pas 25 viteve, vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra të tjera. Së fundmi, u sulmuam edhe me akte terroriste dhe kjo është e papranueshme. Mjaft është mjaft. Kurrë nuk është kërkuar falje, nuk është bërë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tani. Njerëzit që e kryen sulmin terrorist më 24 shtator janë në Serbi, e nuk po gjykohen”, theksoi ajo. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës po mban seancë, për të diskutuar mbi zhvillimet në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Në Banjskë të Zveçanit, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë efektivin Afrim Bunjaku, ndërsa tre agresorë u ekzekutuan më pas nga policia.
Historia e trishtë e Saranda Bogujevcit
Saranda Bogujevci, ka treguar shpesh për mediat, historinë e trishtë të familjes së saj. Ajo është sot nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, por ka qenë viktimë e një sulmi barbar të ushtrisë serbe, gjatë Luftës së Kosovës. Ajo dhe familja e saj u sulmuan nga njësiti policor serb “Akrepat” shumë vite më parë.
Saranda iu mbijetoi 16 plumbave dhe humbi 14 anëtarë të familjes. Bogujevci humbi edhe nënën dhe dy vëllezërit, në vitin 1999. Pas përfundimit të luftës dhe hyrjes së NATO-s në Kosovë, Bugujevci dhe katër kushërinj të saj ia dolën të largohen në Mançester të Anglisë, për t’i ikur barbarisë serbe.
Në mesin e viktimave ishte dhe një fëmijë 2 vjeç. Pesë persona janë dënuar për sulmin barbar, pas dëshmisë së vetë Saranda Bogujevcit në Beograd, për krimin e rëndë. Sot nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës para disa viteve, hapi një ekspozitë në Beograd, për të treguar dramën e jetës së saj. Ekspozita e titulluar “Bogujevci, historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, u hap në Galerinë “Podroom” në Qendrën Kulturore në Beograd.
Saranda Bogujevci ka një karrierë të pasur politike, duke qenë deputete për dy mandate dhe tashmë nënkryetare e parlamentit të Kosovës. /Zëri.ai/