
TIRANË- Një bashkëpunim disa vjeçar, një ‘hile’ apo një ‘prishje në pazar’ ka shkaktuar sot një viktimë!
Alfred Dedja rreth 50 vjeç, ka mbetur i vrarë sot në një lokal të njohur në zonën e Ndroqit. Dedja ishte ulur me një grup miqsh të tij, në momentin që autori i ngjarjes, Julian Gjoshi, është futur brenda lokalit.
Viktima, i cili e njihte 27-vjeçarin prej vitesh, është ngritur për ta përqafuar, por Gjoshi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me dy plumba, duke e lënë të vdekur në vend. Dedja ishte gjithashtu i armatosur, por nuk ka arritur që ta përdorte pistoletën e tij.
Pas krimit, Gjoshi është larguar në drejtim të Shijakut me një mjet “Mercedes Benz”, të tipit “ML” dhe ende nuk është kapur nga policia.
Trupi i Dedjas është nxjerrë nga lokali me çarçaf të bardhë dhe pritet t’i nënshtrohet autopsisë, por kjo ngjarje ka lënë pas pikëpyetje të shumta dhe qytetarë të tmerruar nga skena e vrasjes që ata panë.
Dedja dhe Gjoshi njiheshin familjarisht me njëri-tjetrin. Dedja, siç edhe bëhet me dije e ndante jetën mes Shqipërisë dhe Italisë. Në Shqipëri, ai kishte një shtëpi në zonën e Ndroqit, ku edhe u vra, ndërsa në Itali dyshohet se është përfshirë në trafikun e drogës.
Megjithatë, nga raportimet bëhet me dije se Dedja, shumë vite më parë ka punuar në kompleksin “Golden” që është në pronësi të Altin Hajrit, kunatit të Gjoshit.
Aty Dedja ka qenë menaxher, por gjithashtu është përfshirë edhe në ‘punë’ të tjera me vëllezërit Hajri, si trafikun e drogës, lojërat e fatit dhe lotot.
Ajo që nuk dihet është e çfarë e ka krisur këtë bashkëpunim që solli vrasjen e 50-vjeçarit sot. Ky mister mbetet të zbardhet nga ana e autoriteteve. Nga ana tjetër, emri i Gjoshit nuk është i panjohur për Policinë e Shtetit.
Gjoshi është një person me precedent penalë dhe emri i tij është lakuar në bisedat mes Hajrit dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, në momentin që u vu në pranga në vitin 2021.
Julian Gjoshi u vu në pranga më 19 janar të vitit 2021 teksa qarkullonte me makinë me armë zjarri në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë. Poshtë sediljes iu gjet një armë zjarri tip “Beretta” dhe 10 fishekë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në këtë moment, arrestimi i kunatit, e vuri në lëvizje Altin Hajrin, i cili edhe vetë ishte shpallur në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jani Prengës në ambientet e kompleksit “Golden” në Shijak.
Hajri kontakton Çyrbjan dhe i kërkon ta ndihmojë me qëllim lirimin e kunatit.
“…kan kap kunotin tim me pistoletë… Mos bëjmë naj gjë. Është kunati me gjith atë “bolin” që rrin aty ke unë. Paktën ta maj një dali nji, shif naj “arrest shpia”. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt, se dun kap tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro veç të na e prishi atë mrrokllën (Pistoletën)…,”- shkruan Hajri.
“…se arma qeka veç për gishtat…se po se marove ti s’kam kujt me i thën, me veç prish gjëlponën. Kërkoje vëlla, sa lek të dojn veç du t’ja maroj se më mytën kalamajt daja…. Jepi 20 mijë euro sa dojn ai, veç ta mbarojë…. Më 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëj Mikut tat Olsit…,”- vijon Hajri në një tjetër mesazh drejtuar Çyrbjas.