Aktualitet

Nga Korça në Tiranë e Dibër, Hita jep porositë për Policinë: Goditni grupet kriminale

Në takimet me drejtuesit e strukturave vendore dhe kufitare, Hita ka kërkuar një angazhim më të madh edhe në luftën kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, përmes hetimeve proaktive dhe bashkëpunimit mes strukturave.

M.K.
Nga Korça në Tiranë e Dibër, Hita jep porositë
Skënder Hita

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka zhvilluar takime me strukturat e Policisë në Korçë, Tiranë dhe Dibër, ku ka kërkuar intensifikimin e punës për goditjen e grupeve kriminale, kapjen e personave që lëvizin me armë apo drogë, si dhe arrestimin e shtetasve në kërkim.

Në takimet me drejtuesit e strukturave vendore dhe kufitare, Hita ka kërkuar një angazhim më të madh edhe në luftën kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, përmes hetimeve proaktive dhe bashkëpunimit mes strukturave.

Një tjetër prioritet i vendosur në fokus ka qenë siguria e nxënësve, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka kërkuar monitorim të drejtpërdrejtë të masave të marra për sigurinë pranë shkollave, si dhe kontrolle brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë.

Gjithashtu, gjatë takimeve Drejtori Hita kërkoi nga strukturat vendore dhe kufitare të Policisë:

* goditjen e krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe grupeve kriminale;

* forcimin e luftës kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, nëpërmjet hetimeve proaktive;

* përmirësimin e performancës së Policisë dhe shërbimin me etikë ndaj qytetarëve, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë;

* rritjen e sigurisë rrugore dhe përdorimin efektiv të teknologjisë, me objektiv parandalimin e aksidenteve.

Më tej, Drejtori theksoi rëndësinë e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit, si elementi kyç i përmbushjes së detyrave funksionale.

Hita u shpreh se ky besim rritet vetëm duke intensifikuar punën, angazhimin dhe burimet njerëzore, për të adresuar në mënyrë shteruese, informuese dhe zgjidhëse shqetësimet apo pretendimet e qytetarëve që i adresohen Policisë, nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes dhe adresave zyrtare të saj./ZËRI

Poll

MOS HUMB