TIRANË-Në Shqipëri metoda e pastrimit të parave, ku personat e fuqishëm fshehin pasuritë e tyre të ardhura nga aktiviteti i dyshimtë duke i regjistruar në emrin e dikujt tjetër është bërë 'rrugë'. Një prej tyre është rasti i Bardhjus Bushajt, dikur një shofer, sot një oligark ndërtimi arriti majat në një harko kohor 10-vjeçar, pa patur asnjë lloj kapitali fillestar për investim.
Bushaj, njihej si një ish-shofer deri në 2016, një vit ku gjithçka mori 'kthesë'. Ai themeloi kompaninë “Lion Construction” me një kapital themeltar prej rreth 17 milionë lekësh. Kjo kompani arriti të marrë përsipër projekte të rëndësishme ndërtimi në Tiranë dhe të fitojë tendera publikë me vlera të konsiderueshme. Pak kohë pas krijimit të saj, kompania përfitoi pasuri shtetërore përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave, prona të cilat më pas u përdorën si garanci për kredi bankare, duke siguruar kështu financime të reja për zgjerimin e aktivitetit.
Ndërkohë, Bardhjus Bushaj u bë pronar i vetëm i kompanisë përmes blerjes së aksioneve në transaksione me vlera të larta. Sipas raportimeve mediatike, “Lion Construction” ka qenë një nga përfitueset kryesore të tenderave publikë, duke marrë thuajse 50% të kontratave të dhëna nga Bashkia e Tiranës përmes procedurave të mbyllura ose negociatave të drejtpërdrejta. Vlera totale e këtyre kontratave është përllogaritur në mbi 50 miliardë lekë.
Më 18 prill 2025, me vendim të Këshillit të Ministrave, kompanisë “Lion Construction”, në pronësi të Bardhjus Bushajt, I jepet një tjetër projekt i madh i quajtur “Albora’s Lake”. Projekti parashikon ndërtimin e 42 vilave luksoze dhe 17 kullave me nga 30 kate, pranë liqenit të Farkës.

Por ajo që ngre edhe më shumë dyshimet është fakti sesi punimet kishin nisur që në fundin e vitit 2024, përpara se KKT të miratonte lejen për projektin në 18 prill të vitit 2025. “Lion Construction” e Bushajt nisi ndërtimet para zbardhjes së vendimit për ndërtimin e kullave. Sot Bushaj po ndërton edhe “Lion Park 2”, ku përveç atij pranë Kodrave të Liqenit Artificial, një tjetër kompleks po ngrihet në zonën e Zogut të Zi.
Si injektohet tregu i ndërtimit nga paratë e call center-ave
Burime për Versus.al bëjnë me dije se sektori i call center-ave është një nga shtyllat në të cilat mbahet në këmbë aktiviteti i Bardhjus Bushajt. Së fundmi autoritetet ligjzbatuese kanë zhvilluar aksione me rezultate të larta, por pa mundur të shkojnë deri tek ata që lëvizin 'fijet'.