DEVOLL- Në fshatin Menkulas të Devollit, vendlindjen e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, u hodhën themelet e Shtëpisë-Muze të një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Në ritin e kurbanit në themele të muzeut morën edhe kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj – Baba Mondi – dhe Elona Agolli, vajza e shkrimtarit.
“Dritëroi është një nga figurat e kombit shqiptar, ka lënë një vepër të shkëlqyer, ku ka frymëzuar shumë shqiptarë për të përballuar vështirësitë. Falënderoj familjen, arkitektin dhe të gjithë dashamirësit e tij që po bëjnë këtë muze, për këtë figurë kaq madhe të Shqipërisë. Ishte një personalitet i madh. Zoti na nderoftë të gjithëve, Amin!,” – u shpreh Baba Mondi.
Dritëro Agolli ishte një nga figurat më të shquara të letërsisë shqiptare të shekullit XX. Ai lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit dhe u dallua si shkrimtar, poet, prozator dhe publicist. Agolli u bë i njohur për stilin e tij të thjeshtë, të sinqertë dhe të afërt me jetën e përditshme të njerëzve. Gjatë karrierës së tij, ai trajtoi temat e fshatit, dashurisë për atdheun dhe njeriut të zakonshëm.
Veprat e tij më të njohura përfshijnë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Komisari Memo” dhe shumë poezi që mbeten të dashura për publikun shqiptar. Ai ishte për shumë vite kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Edhe pse ishte pjesë e sistemit komunist, Agolli ruajti një frymë njerëzore dhe lirike në krijimtarinë e tij. Ai u nda nga jeta më 3 shkurt 2017, por mbetet një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë shqipe./ZËRI