
HIMARË- Votimi në Himarë për kryetar bashkie, ka nisur normalisht. Kështu njofton Policia e Himarës. Policia njoftoi se deri më tani nuk ka hasur asnjë problem, megjithatë në qendrat e votimit janë vendosur efektivët, të cilët do të sigurojnë mbarëvajtjen e procesit.
“Përfundoi në Himarë, dorëzimi i objekteve të përcaktuara si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje që prej mbrëmjes së djeshme. Punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e Qendrave të Votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem. Të gjitha objektet zgjedhore që do të shërbejnë si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje nga shërbimet e Policisë janë dorëzuar në rregull dhe pa probleme mëngjesin e sotëm, nga ana e punonjësve të Policisë, dhe janë marrë në dorëzim nga komisonet përkatëse. Punonjësit e Policisë, pas dorëzimit të qendrave të votimit janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për punonjësit e Policisë, ku do të qëndrojnë të gatshëm për të ndërhyrë në rast se nga ana e komisioneve të votimit kërkohet ndihma e Policisë”, njoftoi Policia.
Këtë të dielë, Himara zgjedh kryetarin e ri. Në total janë 36 qendra votimi në Himarë, që do të jenë të hapura deri në orën 19:00. Më pas, do të nisë numërimi.
Gara zhvillohet mes Vangjel Tavos që kandidon nën siglën e PS dhe kandidatit opozitar Petro Gjikuria. Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri dhe dënimit të tij nga gjykata me dy vjet heqje lirie për blerje votash. /ZËRI/