
TIRANË-Sot në Pallatin e Sportit "Fahrie Hoti" nis procesi i rinumërimit të kutive të votimit duke përfshirë qarqet kryesore të vendit: Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan.
Në total, do të hapen 2,323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kuti të votimit nga diaspora. Rinumërimi do të realizohet nga 24 grupe numërimi, të përbëra nga 63 punonjës të administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), prej të cilëve 48 janë numërues dhe 15 zëvendësues.
Çdo tavolinë rinumërimi (24 në total) do të ketë praninë e vëzhguesve të autorizuar nga tre subjektet kryesore ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Partia Mundësia. Për të garantuar transparencën, të gjitha veprimet do të transmetohen drejtpërdrejt online nga Pallati i Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ku po zhvillohet procesi.
Tiranë: Rinumërimi përfshin të gjitha kutitë e votimit brenda vendit, me 18 KZAZ dhe 1,282 qendra votimi.
Fier: Rinumërimi përfshin të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët, me 9 KZAZ dhe 587 qendra votimi.
Durrës: Do të rinumërohen 360 kuti, duke përfshirë 111 kuti të KZAZ nr. 21 dhe 22, 126 kuti sipas kërkesës së PD-ASHM dhe 60 sipas PLL-së, si dhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit.
Elbasan: Rinumërim i 94 kutive të KZAZ nr. 45 dhe 52, përfshirë fletët e votimit dhe materialet zgjedhore.
Buxheti i përcaktuar për rinumërimin kap vlerën e rreth 21 milionë lekëve./ZËRI