Aktualitet

Një javë nga helmimi i banorëve në Fushë-Arrëz, ISHP: Erdhi nga uji i pijshëm, konstatuam ndotje

Analizat laboratorike kanë konstatuar ndotje mikrobiologjike në disa pika të sistemit të furnizimit me ujë.

F.I
Një javë nga helmimi i banorëve në Fushë-Arrëz,
banorët në spital

FUSHË-ARRËZ-Një javë nga helmimi i rreth 140 personave në Fushë-Arrëz, të cilët u paraqitën në qendrën shëndetësore me simptoma gastrointestinale, Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerrë raportin. Sipas raportit, gjatë periudhës 24 gusht–3 shtator 2026, në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz janë paraqitur 139 persona me shenja gastrointestinale. 128 prej tyre, ose 91.7% e rasteve, janë banorë të Fushë-Arrëzit, ndërsa pjesa më e madhe e rasteve është përqendruar në lagjet “Demokracia” dhe “Nushaj”.

Në kuadër të hetimit epidemiologjik, ISHP ka analizuar edhe sistemin e furnizimit me ujë, pasi banorët e prekur kanë deklaruar se konsumojnë ujë nga rrjeti publik dhe furnizohen nga i njëjti sistem.

Analizat laboratorike kanë konstatuar ndotje mikrobiologjike në disa pika të sistemit të furnizimit me ujë. Në Depon nr. 1 janë gjetur koliforme, E. coli dhe enterokokë, ndërsa në një pikë fundore pranë ish-Parkut janë evidentuar koliforme, E. coli, enterokokë dhe Pseudomonas aeruginosa.

Probleme janë konstatuar edhe me procesin e dezinfektimit të ujit. Sipas raportit, analiza e hipokloritit të natriumit ka treguar se klori aktiv ishte 9.04%, ndërsa kufiri i përcaktuar është 13–15%. Për pasojë, lënda e përdorur nuk përmbush kërkesat për procesin e klorinimit dhe dezinfektimit të ujit të pijshëm.

Mjeku Nikolin Bardhoku bëri me dije se banorët shfaqën simptoma si të vjella, diarre, dhimbje barku dhe nauze./ZËRI

Poll

MOS HUMB