
TIRANË- Pacientët që duhet të trajtohen në Urgjencën e QSUT-së, duhet të shkojnë në ish-Sanatorium e Tiranës dhe tek Trauma, duke qenë se pavioni në spitalin qendror në QSUT është ende jashtë funksionit. Në spitalin e Traumës shkojnë pacientë që kanë probleme gastrointestinale apo kanë nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa ata me tension të lartë dhe probleme kardiake drejtohen për tek spitali “Shefqet Ndroqi”. Për shkak të mosfunksionimit të Urgjencës në QSUT, në spitalin e Sanatoriumit është trefishuar fluksi i pacientëve. Ndërsa tek Trauma, vetëm ditët e fundit janë kryer 30 ndërhyrje dhe janë trajtuar 40 raste me hemorragji gastrointestinale.
Shumë qytetarë janë revoltuar pasi nuk kanë qenë në dijeni të këtij fakti dhe u është dashur të shkojnë pranë QSUT-së dhe më pas të kthehen. Urgjenca është jashtë shërbimit prej një jave, pasi më 12 shkurt pavioni në katin 0-1 u përfshi nga flakët. Tymi mbushi të gjithë spitalin, ndaj dhe pacientët u evakuuan. Deri më tani nuk ka ende asnjë përgjigje se kur mund të rifillojë të funksionojë normalisht shërbimi i urgjencës në qendrën më të madhe spitalore në vend.