Aktualitet

Një vit nga marrëveshja e Ohrit, Borrell: Kosova e Serbia të futen në një epokë të re

Marrëveshja e nënshkruar një vit më parë, sipas Borrell tregon se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Evropian.

k.m.
Një vit nga marrëveshja e Ohrit, Borrell: Kosova e Serbia të
Albin Kurti, Aleksandër Vuçiç, Joseph Borell dhe Miroslav Lajçak

BRUKSEL- Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka kujtuar 1-vjetorin e arritjes të të ashtuquajturës marrëveshja e Ohrit. Sot, me një mesazh publik, ai është shprehur se tani është koha që Kosova dhe Serbia t’i japin fund krizës dhe tensioneve për të nisur një epokë të re. Marrëveshja e nënshkruar një vit më parë, sipas Borrell tregon se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Evropian.

“Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje. BE rikujton vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm. Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit,”-tha ai. 

Po ashtu, ai ka shtuar se presin që liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme.

“Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i gatshëm për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por ata janë ata që duhet t’i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara,”-përfundoi ai. 

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur bazë, por më pas, më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes mes dy vendeve.

Çfarë ndodhi gjatë takimit në Ohër?

Në takimin e 18 marsit në Ohër, kryeministri i Kosovës Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç arritën në marrëveshje paraprake për të zbatuar të gjitha dispozitat e Marrëveshjes dhe Aneksit të propozuar nga BE. Marrëveshja me 11 nene nuk e detyron Serbinë që të njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB