
TIRANË- Është identifikuar një prej autorëve që dhunuan mëngjesin e sotëm, në zonën e ish-Bllokut, avokatin Sokol Mëngjesi. Identifikimi i autorit është bërë pas kqyrjes së kamerave të sigurisë, ndërsa policia po punon për identifikimin e dy personave të tjerë që janë përfshirë në dhunimin e mëngjesit.
Gjithashtu nga kamerat e sigurisë është bërë e mundur dhe zbulimi i mjetit me të cilin kanë lëvizur autorët. Burime nga policia bëjnë me dije se autori që është identifikuar prej tyre, nuk është gjetur në banesë në momentin e kontrollit.
Mësohet se Mëngjesi i ka njohur autorët, pasi fillimisht ka biseduar me ta, dhe më pas e kanë sulmuar me sende të forta, dhe me leva, duke i shkaktuar plagë në kokë. Dyshohet se ai është mbajtur nën vëzhgim prej tyre dhe është sulmuar menjëherë pasi ka lënë djalin e mitur në kopsht. Aktualisht Mëngjesi ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë ku është duke marrë ndihmën mjekësore. /ZËRI