
DURRËS- Vajza e Bedrie Lokës ka zbuluar një detaj të rëndësishëm për hetimet që do të zbardhin vetëvrasjen e 41-vjeçares. Duke u bazuar në rrëfimin që e reja ka bërë për hetuesit e Durrësit, lihet të kuptohet se i ati i saj, Xhemal Loka kishte krijuar një lidhje dashurie me një grua franceze, vend ku edhe shkonte për të punuar. Në dosjen e siguruar nga dazetarja Klodiana Lala, vajza pohon se prindërit nuk kanë pasur një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin, ndërsa theksoi se debatet ishin shtuar që prej kohës së muajit shkurt 2023.
“Mami im ka qenë shumë e ngarkuar emocionalisht. jyshja ime ka kaluar një trompozë dhe babi im nuk e linte mamin të shkonte për vizitë te ajo. Mami im ka qenë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe psikologjikisht dhe shumë herë e thoshte se do t’i jepte fund jetës. ‘Jam e lodhur’ thoshte. Komunikimi i fundit që unë e kam bërë me mamin ka qenë rreth orës 22:30 dhe ajo më tha që kishin prapë debat. I thashë; “po leje pra atë muhabet dhe qepe” dhe ajo më tha; “mirë mo mami, mirë se e qep unë”. Diku nga muaji shtator 2023 mami i ka gjetur babit disa letra në gjuhën franceze të cilat ja ka dërguar një femër. Ajo ishte një franceze dhe ka komunikuar me vëllain tim dhe i ka thënë që ka pasur një lidhje me Xhemalin. Kjo ka qenë një arsye që e ka vrarë shumë psikologjikisht mamin tim,”-tregoi e bija.
Ndaj 45-vjeçarit, Xhemal Loka rëndojnë dy akuza që janë ajo e shkaktimit të vetëvrasjes, si dhe armëmbajtja pa leje. Në banesën e Lokës u gjet një automatik, si dhe një sasi fishekësh. Do të jetë gjyqtari Paulin Çera ai që do të bëjë vlerësësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. ZËRI udhëtoi të shtunën drejt Sukthit e Fllakës, dy zonat që përmbledhin jetën e Bedrie Lokës, që pjesën më të madhe të kohës e kalonte në fabrikën ku punonte, e ndërsa sot, nuk po prehet e qetë as në banesën e fundit. Kjo për shkak se vëllezërit e saj kanë kërkuar zhvarrosjen e trupit, që sipas tyre ishte me shenja dhune edhe ditën e varrimit. Ata kanë pasur një konflikt me Xhemal Lokën, e për këtë shkak nuk pritën as ngushëllimet në banesën e çiftit. Ishin rrëfimet e 4 fëmijëve që zbuluan se nëna e tyre ishte vazhdimisht nën dhunën e të atit, i cili shumicën e kohës e kishte kaluar në emigracion./ZËRI