
TIRANË- "Tempulli" është shpërngulur në dyert e Gjykatave. Sot, pas arrestimit të 233 personave në mbarë vendin për shpërndarje drogash pranë shkollave dhe lokaleve të frekuentuara nga të rinjtë, u dhanë masat e sigurisë për të prangosurit në Korçë dhe në Vlorë. Në Korçë u zhvillua seanca për 16 nga 26 të arrestuar, për të cilët u caktua masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Gjatë marrjes në pyetje nga togat e zeza, të prangosurit u përgjigjën se ishin konsumues të lëndëve narkotike dhe se nuk kishin për qëllim shitjen e tyre.
Madje edhe nuk i kanë shmangur dot as të qeshurat teksa filmoheshin nga kamerat e mediave të pranishme. Në Vlorë, u zhvillua seanca për 18 persona, nga të cilët 5 janë lënë në “arrest shtëpie” ndërsa 13 të tjerë kanë marrë masën “arrest me burg”. Në shtëpi janë dërguar: Shkëlqim Bakaj, Fatmir Alikaj, Julian Shabani, Eriselda Zekaj dhe Nikola Selimaj. Ishte vetë Prokuroria, e përfaqësuar nga Anton Pali, që kërkoi kërkoi lirimin për Ariselda Delibashin dhe Eriselda Zekën, pasi kanë fëmijë të mitur; ndërsa për shkak të moshës u lanë në arrest shtëpie Shkëlqim Baka, Fatmir Alikaj e Julian Shabani.
Ndërsa Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 26 nga 30 të arrestuarit. Ndërkohë dy të arrestuar janë lënë në masën e sigurë "Detyrim paraqitje" ndërsa dy të tjerë në masën e sigurisë "Arrest shtëpie".
Operacioni ''Tempulli” u shtri në disa qytete të vendit me fokus luftën kundër shpërndarjes së drogërave në ambientet pranë shkollave. Të arrestuarit e kryeqytetit janë pjesë e 7 grupeve që merreshin me shpërndarjen e kokainës, heroinës dhe kanabisit, kryesisht pranë shkollave dhe në klubet e natës. Mes të arrestuarve kishte femra, njëra prej tyre shtatzënë dhe me fëmijë të mitur, ndërsa një tjetër ishte në moshën 68 vjeçe. Të arrestuar ka pasur dhe në Vlorë, Durrës e Korçë. Ky është operacioni më i madh antidrogë në vend me mbi 200 të arrestuar dhe persona të shpallur në kërkim./Zëri