TIRANË- Një ditë para votimit të parashikuar në Kuvend, projektligji për pagat dhe statusin e magjistratëve përballet me kundërshtimin e Gjykatës së Lartë. Përmes një deklarate zyrtare Gjykata e Lartë ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si është ndjekur procedura parlamentare për ndryshimet e propozuara duke kërkuar që nisma të mos kalojë për miratim në seancën plenare të 17 shtatorit në formën aktuale.
Sipas Gjykatës së Lartë përfaqësuesit e gjyqësorit janë njoftuar më pak se dy orë përpara mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore. Edhe pse morën pjesë në dëgjesë ata pretendojnë se nuk patën në dispozicion të gjitha amendamentet që kishin ndryshuar përmbajtjen e projektligjit.
Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e informacionit të plotë mbi opinionin financiar të Qeverisë. Gjykata argumenton se, pa pasur akses në variantin përfundimtar dhe në të dhënat financiare përkatëse, gjyqësori nuk ka pasur mundësi të shprehej në mënyrë të plotë mbi propozimin që pritet të votohet.
Kundërshtimet e Gjykatës së Lartë nuk lidhen vetëm me procedurën. Në opinionin e saj juridik dhe kushtetues, ajo ka ngritur më herët çështje që kanë të bëjnë me pagën referuese të magjistratëve, koeficientin 0.38 të pagës së Presidentit, trajtimin e pagave të prapambetura dhe ruajtjen e hierarkisë së pagave brenda sistemit gjyqësor.
Në qender është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Gjykata e Lartë vlerëson se projektligji duhet të rishikohet në përputhje me këtë vendim, duke theksuar se vetëm referimi formal ndaj tij nuk është i mjaftueshëm. Sipas saj, arsyetimi i Kushtetueses duhet të reflektohet konkretisht në zgjidhjen ligjore që i propozohet Kuvendit.
Për këtë arsye, Gjykata e Lartë i kërkon Kuvendit të mos vijojë me shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit në seancën e 17 shtatorit, nëse ai mbetet në formën aktuale.
Në kërkesën e saj Gjykata kërkon gjithashtu që të sqarohet procedura e depozitimit dhe shqyrtimit të amendamenteve, të bëhet publik opinioni i Qeverisë mbi efektet financiare të ndryshimeve dhe të verifikohet respektimi i procedurave dhe afateve parlamentare.
Debati për pagat e magjistratëve është rikthyer në qendër të vëmendjes pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit, e cila pranoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve dhe rrëzoi si antikushtetuese disa dispozita të ligjit të vitit 2023.
Kushtetuesja vlerësoi se formula që e lidhte pagën me 0.36 të pagës së Presidentit sillte në praktikë një ulje të fshehtë të pagës dhe i kërkoi Kuvendit të ndërhynte.
Në zbatim të këtij vendimi, KLGJ dhe KLP rritën pagën referuese nga 156 mijë e 800 lekë në 222 mijë e 425 lekë, duke ruajtur edhe shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit./ZËRI