
TIRANË- Që nga krijimi si institucion dhe deri më tani Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është kthyer në filtrin e të gjitha institucioneve të tjera, ku zakonisht "keqbërësit" i kapin gafil në abuzime me tenderat. Por edhe vetë SPAK duhet të zhvillojë procedura të tilla për të përmbushur të gjitha nevojat dhe për të qenë efektiv si institucion. Nëse jeni kuriozë se çfarë blen SPAK, këtë na e zbulon lehtësisht vetë institucioni në raportin e paraqitur për vitin 2023, ku pjesën dërrmuese e zë logjistika për të kapur kriminelët dhe abuzuesit në terren. Me gati 1 milionë euro buxhet, SPAK ka mbyllur pagat e prokurorëve, agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe investimet në pajisje. Madje dhe ia ka dalë që të kursejë, pasi ka shpenzuar vetëm 97% të buxhetit vjetor të rishikuar.
Për logjistikë, SPAK ka harxhuar 163.6 milion lekë. Por çfarë blen SPAK? Sipas listës që kanë bërë, janë pajisje të domosdoshme për hetim, si psh.skaner për dedektim të automjeteve, sistemeve elektronike për rritjen e sigurisë kibernetike, sisteme teknologjike për suportin e hetuesve në terren. Por u është dashur që të shpenzojnë edhe për automjete për hetuesit, apo dhe pajisje zyre, ashtu si çdo institucion tjetër.
"Fillimisht ishte parashikuar për blerje të produkteve: a)pajisje zyre në vlerën 35 milion lekë, b) blerje pajisje elektronike në shumën 5 milion lekë, c)skaner për kontrollin e automjeteve në shumën 11 milion lekë, d)blerje automjete në shumën 10 milion lekë dhe e)blerje pajisje operacionale në shumën 6 milion lekë. Për shkak të vonesave në miratimin e lejes së ndërtimit, projekt i parealizuar për vitin 2023 ka rezultuar dhe ndërtimi i një muri rrethues për godinën e re të kaluar gjatë vitit 2023 në administrim të SPAK. Gjithashtu gjatë vitit 2023, me qëllim realizimin e Projektit “Blerje të pajisjeve dhe sistemeve elektronike për rritjen e sigurisë kibernetike dhe sistemit teknologjik për suportin e hetuesve në terren”, për Prokurorinë e Posaçme është miratuar një Grant me vlerë 169.2 milion lekë, me burim nga AAPSK, finalizuar midis palëve me lidhjen e Kontratës protokolluar me nr.1189, datë 30.03.2023, pranë Prokurorisë së Posaçme dhe Nr.206 prot., datë 30.03.2023, pranë AAPSK. Bazuar në fondet e AAPSK dhe fondet buxhetore, Prokuroria e Posaçme në cilësinë e Autoritetit Kontraktor gjatë vitit 2023, inicioi procedurat e prokurimit me objekt: a) Blerje sisteme/pajisje të teknikës operative, procedurë e klasifikuar “sekret” në shumën 101 milion lekë (me fondet e AAPSK), procedurë e cila do të realizohet sipas akteve ligjore dhe nënligjore të cilat rregullojnë procedurat e prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe do të vijoj dhe gjatë vitit 2024. b) Blerje sisteme dhe pajisje elektronike në shumën 84.5 milion lekë (me fondet e AAPSK dhe të buxhetit të shtetit). Lidhur me këtë procedurë e ndarë në 5 lote, në pamundësi të përfundimit me sukses të lotit ku ishte parashikuar angazhimi i fondeve buxhetore në shumën 45 milion lekë, Prokuroria e Posaçme mori masat për deklarimin pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si teprica në zërin e Investimeve për shumën 45 milion lekë. Me Aktin Normativ Nr.6, datë 14.12.2023 është miratuar pakësimi i fondit për investime në shumën 45 milion lekë. Realizimi i Investimeve me Financim të Brendshëm për vitin 2023 sipas zërave paraqitet: • Blerje automjete 7.95 milion lekë; Blerje Pajisje zyre 0.48milion lekë,"-bëhet me dije nga SPAK.
Megjithatë për të pasur rezultate edhe më të mira, dhe teknologjinë më të fundit, këtë vit, për SPAK është miratuar një buxhet edhe më i madh, shuma prej 1,901 milion lekëve. Shpenzime për investime janë parashikuar në vlerën 550 milion lekë, e cila do të përdoret për pajisje elektronike dhe infrastrukturë të IT, si dhe pajisje operacionale./ZËRI