
GREQI- Pamjet që shihni tregojnë momentin kur 20-vjeçari shqiptar, Orgito Lloci shembet në tokë pasi u dhunua nga dy persona pas një sherri. Ai shihet se mbahet nga krahët nga një burrë, ndërsa në pak sekonda shembet në tokë. Burri që e ndihmon të qëndrojë në këmbë mundohet që ta mbajë në momentin që rrëzohet dhe më pas ti mbështesë kokën.
Pavarësisht se u dërgua në spital ai ndërroi jetë. Ndërkohë në pamjet e transmetuara nga mediat greke shihen qytetarët, të cilët grumbullohen rreth vendit ku ndodhi ngjarja. Dy autorët e ngjarjes janë vënë në pranga ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza e plagosjes së rëndë me pasojë vdekjen.
Sipas avokatit të dy të pandehurve, të rinjtë nuk i kanë thënë konkretisht prokurorit se përse janë përfshirë me 20-vjeçarin, por kanë folur vetëm për një sherr fillestar, i cili është përshkallëzuar. Sipas avokatit të autorëve ngjarja ka ndodhur aksidentalisht pasi klientët e tij nuk kanë dashur të vrasin./ZËRI