Aktualitet

Pamje të rënda, fëmija 3-vjeç dhunohet nga 3 punonjëse të çerdhes në Kosovë

Fillimisht janë dy prej edukatoreve që shihen duke e dhunuar dhe tërhequr zvarrë fëmijën, dhe më pas kuzhinieria e ka futur në një dhomë ku nuk ka kamera. Sipas dëshmisë së familjarit të të miturit, 3-vjeçari ka kaluar traumë, dhe si pasojë e dhunës nuk ka mundur që të flejë.

E.K
Pamje të rënda, fëmija 3-vjeç dhunohet nga 3
3 dhunueset e te miturit

KOSOVË- Një ngjarje e rëndë është publikuar së fundi në Kosovë, ku një fëmijë i mitur vetëm 3-vjeç është dhunuar në çerdhen shtetërore në Fushë Kosovë. Kanë qenë familjarë të 3-vjeçarit që kanë publikuar pamjet e dhunës barbare që është ushtruar ndaj të voglit, jo nga një por nga disa punonjëse të çerdhes.

Fillimisht janë dy prej edukatoreve që shihen duke e dhunuar dhe tërhequr zvarrë fëmijën, dhe më pas kuzhinieria e ka futur në një dhomë ku nuk ka kamera. Sipas dëshmisë së familjarit të të miturit, 3-vjeçari ka kaluar traumë, dhe si pasojë e dhunës nuk ka mundur që të flejë.

Ai i bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë sa më parë për dhunueset e Lisit të vogël, pasi vendi i tyre nuk mund të jetë kurrsesi në arsim.

Postimi: Të nderuar media dhe prindër!

Dua të ndaj me ju diçka të tmerrshme që sapo ka ndodhur në Fush Kosovë, në çerdhen shtetërore të fëmijëve "Gezimi yne", është rrahur brutalisht nipi im i preferuar Lisi, vetëm 3 vjeç. Shikoni kamerat ku shihet qarte qe po rrihet ne derë pastaj terhiqet zvarre, me pas e dergojne perseri ne nje dhome pa kamera dhe e rrahin pa meshire te 2 “mesueset” e kesaj çerdhje bashkë me pastruesen apo kuzhinjeren! 

Nipi im ka pësuar trauma të rënda psiqike dhe nuk mund të flejë më, nipi po përjeton një ankth të madh. Kërkoj nga organet e drejtësis të bëjnë punën e tyre. IDIOTEVE dhe mostrave të tilla duhet t'i jepet fund një herë e përgjithmonë. Le të jetë rasti i fundit i dhunës ndaj fëmijëve. DHUNUESET e tilla NUK e kane vendin ne arsim.

Mamaja e të miturit ka deklaruar se 3-vjeçari pas dhunimit në çerdhe, përveç dëmtimeve fizike, është lënë për 8 orë pa ushqim. 

"Mësuesja Fitore më tha hajde këtu se djali ytë e ka ba namin. Më erdhi shumë keq sepse mendova që e ka rrëzu dikon ose ka thy ndonjë gjë. I thashë ju kërkojë falje, por tha jo ka dal e ka shkarravitë. Unë i thash kena me ja ble mësues një çokollatë edhe me i thënë më fal nesër jam lazdru dhe i thashë duhet me i përmbushë dënimet nëse t’i ka dhënë mësuesja por ky kishte marrë dënime brutale.

Më ka thënë djali nuk kam hëngër bukë, nuk kam pi ujë që 8 orë. Fëmija im pa hangër pa pi. Ka pi ujë i kam përgatitur ushqimin në shtëpi. I thash le se të jep mami në shtëpi bukë. Jam detyru mu ndal i ka hëngër dy hamburger dhe një shishe ujë. I thirra familjarët dhe u thashë qashtu po më thotë djali por nuk jam e sigurt”.

Sa i takon dhunimit në ambientet e çerdhes ka reaguar dhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavi, e cila dënoi ashpër rastin dhe tha se institucionet do të marrin masa të menjëhershme.

“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar.

Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar.

Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”-thuhet në reagimin e ministres.

Policia ka konfirmuar nisjen e hetimeve për dy edukatoret si dhe kuzhinieren e çerdhes shtetërore.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, ka thënë se nuk mund të japë detaje të tjera deri në përfundimin e fazës fillestare të hetimit.

“Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast. Për detaje mbesim në kontakt pasi të përfundon faza fillestare e hetimit”, ka thënë ajo./Zëri

Poll

MOS HUMB