
SHKODËR- Rasti i Alma Arrazit rrezikoi që të përsëritej sërish në Shkodër. Kësaj here, një tjetër e re ka marrë 4 fëmijët e saj të mitur dhe ka tentuar që të hidhej nga lumi Buna. Fatmirësisht, skenari i saj nuk u finalizua vetëm prej disa efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët po patrullonin në zonë. Menjëherë, pasi kanë pikasur 27-vjeçaren dhe 4 fëmijët e saj teksa po tentonin të hidheshin, kanë ndërhyrë dhe i kanë shpëtuar jetën. Të gjithë fëmijët e të resë ishin të mitur, të gjithë të moshës: 7, 5, 3 dhe 1 vjeç.
Nuk dihet ende se çfarë e shtyu që të tentonte që të kryente aktin e rëndë, por aktualisht ajo është marrë në ambientet e Komisariatit të Shkodrës dhe po merret në pyetje për të mësuar më shumë detaje.
"Ndërhyrja e Policisë parandaloi një ngjarje të rëndë. Tentoi të hidhej në lumin Buna, bashkë me 4 fëmijët e saj të mitur, falë ndërhyrjes së shpejtë nga patrulla e përgjithshme që patrullonte në zonë, pengohet 27-vjeçarja. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rreth orës 14:15, se një shtetase po tentonte të hidhej në lumin Buna, bashkë me 4 fëmijët e saj, shërbimet e Policisë që patrullonin në zonë, kanë ndërhyrë duke penguar 27-vjeçaren, e cila po tentonte të hidhej në lumë, bashkë me 4 fëmijët e saj 7, 5, 3 dhe 1 vjeç. 27-vjeçarja dhe fëmijët e saj u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit,"-bëri me dije Policia e Shtetit.
Të njëjtin skenar ndoqi edhe Alma Arrazi, e cila i dha fund jetës së saj dhe të 3 fëmijëve më 5 maj të këtij viti. Për shkak të konflikteve më bashkëshortin e saj, Erdgys Arrazi, ajo i mori jetën vetes dhe fëmijëve, 9, 8 dhe 3 vjeç, duke risjellë kështu një version modern të tragjedisë së "Medeas". Por mesa duket, rasti i saj ka shërbyer si "frymëzim" edhe për të tjera, siç është rasti i 27-vjeçares, e cila gjithashtu vendosi sot që të vepronte në të njëjtën mënyrë. Por për fatin e saj të mirë, nuk pati të njëjtin fund./ZËRI