Aktualitet

Parku fotovoltaik në Nivicë/ Banorët s'lejohen të futen Bashkinë e Sarandës, opozita bashkon votat me PS

"Pro", votuan edhe këshilltarët e opozitës, pavarësisht se jashtë ishin mbledhur dhjetra qytetarë që protestonin dhe kërkonin të ishin pjesë e mbledhjes.

k.m.
Parku fotovoltaik në Nivicë/ Banorët s'lejohen të futen
Banorët e Nivicës

SARANDË- Këshilli Bashkiak i Sarandës miratoi me vota unanime dhënien me qira të 60 hektarëve tokë në zonën e Nivicës për ndërtimin e një parku me panele diellore. "Pro", votuan edhe këshilltarët e opozitës, pavarësisht se jashtë ishin mbledhur dhjetra qytetarë që protestonin dhe kërkonin të ishin pjesë e mbledhjes. Edhe pse përmendin faktin se me Vendim të Këshillit të Ministrave, banorët mund të merrnin pjesë në mbledhje të tilla, sërish nuk janë lejuar brenda. Efektivë të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake i janë mbajtur larg mbledhjeve. 

Edhe pse nuk u lejuan të futeshin brenda, banorët pretendojnë se toka është pronë e tyre dhe se çështja është ende në proces gjyqësor.

“Ne jemi ne gjyq me bashkinë. Nuk do ta lejojmë zhvillimin e projektit,"-janë shprehur ata të revoltuar. Megjithatë, asnjë nga kërkesat e tyre nuk u mor parasysh. Në fund të mbledhjes, këshilltarët u detyruan të dalin nga dera e pasme, për të shmangur kështu përplasjet me banorët që prisnin jashtë Bashkisë. 

Kompania që ka marre lejen per të ndërtuar parkun fotovoltaik është “Park Sol Energy”, e krijuar në shtator 2022 dhe zotërohet nga biznesmenët Paqësor Buzi dhe Agim Xhindoli, secili me 50% aksione. 

Parku do të ndërtohet në një zonë të njohur si Heremec, por është kundërshtuar publikisht nga banorët e Nivicës, të cilët pretendojnë pronësinë e tokës ku parashikohet ndërtimi i parkut diellor. Në muajin shkurt 2024 u organizua një dëgjesë publike për projektin, ku banorët e zonës shprehën qartë kundërshtimin e tyre. Ata argumentuan se toka në fjalë është pronë private dhe se nuk janë konsultuar më parë për zhvillimin e projektit.

Më pas, në prill 2024, Bashkia Sarandë shpalli një thirrje për zhvillim të parkut energjetik, duke hapur garën për kompanitë që dëshirojnë të ndërtojnë një impiant për prodhimin e energjisë elektrike përmes paneleve diellore./ZËRI 

 

Poll

MOS HUMB