
POGRADEC-Një tjetër denoncim është ngritur ndaj eksponentit të Partisë Demokratike, Luan Tollozhina, i cili ushtroi dhunë ndaj komisionerit të Partisë Socialiste, Enton Gega në Pogradec. Në këtë rast, 63-vjeçari është konfrontuar fizikisht edhe me një pensioniste. E moshuara në një deklaratë për mediat tha se Tollozhina e kapi prej fyti dhe e ka ofenduar.
“Jam 73-vjeçe, jam ngritur nga shtrati, vajta votova normalisht. As nuk më ofendoi absolutisht asnjeri. Më pas mora burrin dhe e solla këtu, se e kam të shtrirë në krevat. Më ka zënë Luan Tollozhina prej gryke dhe më tha fjalët e fundit, që s’ka bir nëne që t’i thotë. Të më dhunojë dhe të më thotë mua je komuniste dhe rrugaçe në këtë moshë. Unë isha këtu jashtë dhe prisja, ai bën ligjin këtu”, u shpreh e moshuara.
Luan Tollozhina u arrestua pasi dhunoi komisionerin e Partisë Socialiste, Enton Gega. Sherri erdhi për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, e bija e tij ka pasur një debat me anëtarin e komisionit shtetasin Enton Gega, në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues./ZËRI