
VLORË- Arjan Meçe ka humbur shikimin e syrit të majtë pas një ndërhyrjeje në spitalin Amerikan në Tiranë. Qytetari nga Vlora tregon për "TVA News" se pas konsultës i kishin bërë me dije se operacionin do ta kryente një mjet nga Torino, por në sallë ndërhyrjen ia kishte bërë një doktoreshë. Pasi doli nga spitali, rrëfen se ka shkuar të nesërmen me urgjencë në spitalin e Vlorës dhe doktoresha i ka kërkuar që të shkojë në Tiranë. Sipas tij, shikimin e ka humbur rrugës për në Tiranë.
Nga kontrollet që ka kryer në disa vende të Europës i është thënë se syri ka marrë infeksion gjatë operacionit. Kështu që ka vendosur që ta ndjekë në rrugë ligjore, por zbuloi se Bashkia e Vlorës i kishte bërë me dije organit ligjzbatues se me atë emër nuk ekzistonte asnjë qytetar në qarkun e Vlorës.
"Kam humbur shikimin e syrit të majtë dhe syri tjetër kishte probleme por ndodhi sot për nesër. Dua të bëj një denoncimin për Spitalin Amerikan, në 2018 kam bërë një vizitë, më informuan se do vinte një doktor nga Torino për të më bërë operacioni. Më futën në sallë dhe aty shikoj që doktori nuk ishte por ishte një doktoreshë. Të nesërmen shkova në spitalin e Vlorës dhe aty mori kontakt me doktoreshën dhe i tha ajo që të nisesha në Tiranë. Në Lushnje humba shikimin e syrit të majtë. Edhe tjetri kishte probleme. Atje më mbajtën 12 ditë shtruar dhe nga ajo ditë nuk kam pasur më rezultat. Kam shkuar në Europë dhe më thonë që nuk ka marrë zgjidhje. Thonë që kam marrë infeksion. Gfjykata i kërkonte Bashkisë së Vlorës për të më lajmëruar mua, Dritan Leli i kishte dërguar një shkresë që nuk ekziston personi. Kjo nuk ndodh se unë jam në Vlorë dhe kam biznesin,"-rrëfeu qytetari.
Tashmë, çështja është në Gjykatën e Lartë dhe qytetari kërkon drejtësi për rastin që i ka ndodhur. Por ZËRI, duke u bazuar në rrëfimin e qytetarit ka kërkuar informacion nga spitali Amerikan lidhur me atë që ka ndodhur. Kërkesa për informacion ka mbërritur, por deri në publikimin e lajmit, nuk ka ardhur asnjë përgjigje./ZËRI