Aktualitet

Pengmarrja në Tiranë, i përfshirë dhe Tori Xheçuka, i dyshuar si vrasës me pagesë. Arratisja ‘spektakolare’ drejt Dubait

7 persona u vendosën nën masë sigurie, për pengmarrjen e një 35-vjeçari në Tiranë, mes tyre dhe një personazh i njohur i botës së krimit si Tori Xheçuka

E.K
Pengmarrja në Tiranë, i përfshirë dhe Tori Xheçuka, i
Tori xhecuka

TIRANË- ZËRI mëson detaje të reja nga pengmarrja e një 35-vjeçari në Tiranë, ku një prej autorëve është një personazh i njohur i botës së krimit, i cili dyshohet se prej disa kohësh strehohet në Dubai. Gjykata ka lëshuar 4 masa sigurie arrest me burg, ndërsa 3 të tjerë janë lënën nën masën e arrestit të shtëpisë.

Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se masat e sigurisë arrest me burg janë dhënë për shtetasit: Tori (Hektor) Xheçuka, Aleksandër Osmani, Artan Pirraci dhe Fredi Keta. Ndërkohë që në masën e arrestit të shtëpisë janë lënë shtetasit: Naim Qarri, Sajmir Kolaveri dhe Adem Metkola.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se Xheçuka dhe Keta nuk janë arrestuar nga policia, dhe është bërë shpallja në kërkim e tyre. 

Hektor alias Tori Xheçuka u ka shpëtuar sërish autoriteteve shqiptare në vitin 2022, teksa ishte lënë nën masën e arrestit të shtëpisë, i dyshuar për vepra të rënda penale. Në momentin që efektivët e policisë i kishin shkuar në banesë, kanë konstatuar se Xheçuka nuk ndodhej aty dhe ishtelarguar në drejtim të Dubait.  

Efektivët e policisë të komisariatit nr.2, shkuan në Qershor të vitit 2022 në banesën ku qëndronte Xheçuka, por nuk e kanë gjetur aty. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e familjarëve të tij në Kamëz, por as atje nuk është gjetur. Që prej janarit 2022, brenda një periudhe 5 mujore Xheçuka, rezulton të jetë larguar dy herë nga banesa e tij, duke thyer masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.

Për rastin e largimit të parë, policia mundi ta arrestojë në zonën e spitalit “Nënë Tereza”. Për këtë thyerje të masës së sigurisë, Xheçukës ju vendos nga gjykata e Tiranës, dhe një masë e dytë “arrest në shtëpi” për akuzën e “Largimit nga vendi që i ka caktuar gjykata”. Por, ai e përsëriti të njëjtin gabim. 

Hektor alias Tori Xheçuka është dënuar për plagosjen e Enrik Metrës, ngjarje kjo e ndodhur në zonën e Burrelit. Hektor Xheçuka u arrestua në 5 tetor të 2018-së dhe u akuzua si vrasësi i Emiljano Boçit. Policia e Tiranës tha në atë kohë se kishte prova të pakundërshtueshme për të, duke shtuar se Xheçuka dyshohet si një vrasës me pagesë i rrezikshëm, që mund të kishte lidhje edhe me disa vrasje të tjera të ndodhura në Tiranë e në qytete të tjera të Shqipërisë.

Xheçuka u akuzua se kishte ekzekutuar Boçin për llogari të një grupi rival në fushën e trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike me operim në Holandë, aty ku dyshohet të ketë patur aktivitet dhe grupi i Boçit. Por pesë muaj pasi u arrestua, Xheçuka u lirua nga burgu, më 25 prill të vitit 2019. Zyrtarisht u deklarua se nuk ishin gjetur prova bindëse për të akuzuar Xheçukën për vrasjen e Emiljano Boçit. Hetimet për vrasjen e Emiljano Boçit u rikthyen në pikën zero./ZËRI 

Poll

MOS HUMB