
LEZHË- Zef Lulaj, banor në zonën Tale 2 në Lezhë ka denoncuar ish-kryetarin e Komunës Nik Lulaj për tjetërsim pronash në këtë zonë. Në denoncimin e tij, Zef Lulaj shprehet se dy-tre familje të këtij fshati kanë zaptuar 200 hektarë toka private dhe publike në Tale 2 deri në bregun e detit. Sipas asaj që raporton “Prapaskena”, Zef Lulaj shprehet se ish-kryekomunari, Nik Lulaj, i cili ka qenë dhe kryeplak më herët ka përvetësuar 200 ha tokë, të cilat më pas i ka kaluar në emrat e të afërmve të tij.
“Unë Zef Luaj dua të denoncoj një skemë grabitje të pronave në Tale 2, Komuna Shënkoll, Lezhë. Ish kryetari i komunës Nik Luaj ka pervetsuar rreth 2 000 dynym tokë, duke e kaluar në emrin e Llesh Lulajt dhe të vëllezërve të tij. Disa nga personat që na janë grabitur pronat janë unë Zef Lulaj, Fran Lulaj, Mark Lulaj, Pal Lulaj, Agustin Lulaj dhe Agustin Koleci. Kërkojmë nga organet e drejtësisë të hapin letrat e përvetësimit të pronave në Tale 2“.
Po ashtu, dyshohet se përmes tapive të falsifikuara janë përvetësuar sipërfaqe të mëdha pronash publike dhe private, përfshirë edhe disa prona të ushtrisë me tapi false.
Në dëshminë e dhënë para oficerit të Policisë gjyqësore Gjin Kola, shtetësja Leze Lulaj ka deklaruar se zotëron dokumentacion për tokën, që sipas saj e ka përfitur që në vitin 1996 nga komuna e Shënkollit. Në tokën që prezupozohet se është e “zaptuar”, zonja Lulaj thotë se ka ndërtuar dhe banesën e saj një katëshe. Çështja po hetohet./ZËRI