
VLORË- Një 34-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi qarkullonte me armë zjarri me vetë, që e posedonte pa leje. Policia e Shtetit kishte informacione se i riu kishte armë në mjet dhe pas kontrolleve, rezultoi pikërisht aty. Megjithatë nuk dihen detaje të tjera lidhur me identitetin e tij dhe arsyen se përse qarkullonte me armë zjarri.
NJOFTIMI I PLOTË:
Vlorë/ Në kuadër të operacionit "Sundimi i ligjit", për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që mbajnë armë, pa leje, Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, zhvilloi operacionin e koduar "Strike 10". Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur, në qytetin e Vlorës, u finalizua operacioni dhe u arrestua në flagrancë shtetasi: -F. P., 34 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë operacionit, në lagjen “Uji i Ftohtë”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin F. P., të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, që e posedonte pa leje. Pistoleta dhe automjeti i 34-vjeçarit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë./ZËRI