
BELGJIKË- Ka vijuar sot në Belgjikë seanca e radhës për një nga proceset ‘SKY ECC’ me 40 të pandehur, shqiptarë e kolumbianë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine në kuadër të dosjes ‘Black Eagle’. Sot, radhën për të dalë para gjyqit e ka pasur një ish-futbollist shqiptar, emri i të cilit ende nuk dihet edhe pse lajmi është raportuar në mediat belge. Në mbrojtjen që i bëri sot avokati i tij, Sokol Vljahen theksoi se klienti i tij e kishte pranuar që ishte marrë me trafik droge, por kërkoi 5 vite burg me kusht.
“Klienti im merr përgjegjësitë e tij. Ai shpjegoi se në çfarë ishte i përfshirë dhe cili ishte roli i tij. Çdo gjë që lidhet me laboratorët (përpunimin e kokainës) nuk e shqetëson. Ai s'ka pasur një telefon me rrjetin e koduar "Sky ECC","-tha avokati.
Po sipas mediave të huaja, ky ish-futbollist profesionist shqiptar jetonte në një apartament në Anderlecht dhe luante rolin e “infermierit” të organizatës kriminale, duke mbajtur stoqe droge dhe cash në këtë banesë.
Në këtë proces gjyqësor 40 persona akuzohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale aktive në trafikun e drogës. Hetimi, me emrin e koduar Black Eagle, nisi në shtator 2020 kur Policia zbuloi kanabis, aceton, por edhe një fuçi lëngu në të cilin ishte ekuivalenti i 600 kilogramëve kokainë, e cila ishte "holluar". Grup mendohet se drejtohej nga Bashkim Osmani nga Kosova, Artur Shehu dhe Arben I., identiteti i plotë i të cilit nuk dihet. Të lartpërmendurit konsiderohen ndër ‘lojtarët’ më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës. Nga mesazhet e tyrr janë zbuluar edhe lidhje me zyrtarë në Shqipëri, por detaje të tjera pritet të zbulohen në seancat në vijim./ZËRI