DURRËS-Kapiteneria e Portit të Durrësit ka ndaluar hyrjen në port të anijes-cisternë “HANUMAN”, e cila lundron nën flamurin e Sierra Leones. Ndalimi u bë më 28 gusht. Sipas të dhënave të autoriteteve, anija është identifikuar si pjesë e të ashtuquajturës “shadow fleet” ose “flota hije” ruse nga GUR, Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës, si dhe shërbimet partnere.
Një nga episodet që e ka futur tankerin në këtë listë lidhet me shtatorin e vitit 2025. Sipas GUR, “Hanuman” transportoi atëherë më shumë se 30 mijë tonë produkte nafte ruse nga porti i Novorossiysk drejt Turqisë. Pra, nafta nuk po transportohej drejt Rusisë, por nga Rusia drejt Turqisë.
Autoritetet ukrainase kanë evidentuar gjithashtu raste kur anija dyshohet se ka fikur sistemin automatik të identifikimit, AIS, një mekanizëm që lejon gjurmimin e lëvizjeve të mjeteve detare. Në historikun e saj figurojnë edhe hyrje në porte ruse.
“Hanuman” është ndërtuar në vitin 2004, është rreth 171 metra e gjatë dhe ka kapacitet prej afro 34.600 tonësh. Termi “flotë hije” përdoret për një rrjet tankerësh që vazhdojnë të transportojnë naftë ruse pavarësisht sanksioneve dhe mekanizmit të kufirit të çmimit të vendosur pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Këto anije janë vendosur gjithnjë e më shumë nën vëzhgimin e autoriteteve europiane dhe vendeve partnere. Në rastin e Durrësit, autoritetet shqiptare nuk e sekuestruan tankerin, por i refuzuan hyrjen në radën e portit, duke mos e lejuar të ankorohej dhe të përpunohej në Shqipëri.