
MAMURRAS-Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku kushërinjtë u përplasën me armë zjarri me njëri-tjetrin Policia ka njoftuar se katër persona janë arrestuar. Në pranga ka rënë efektivi i policisë, Sahit Ahmetaj Sela, dy të afërmit e tij, Fatos dhe Adrian Selën dhe shtetasi me iniciale Y.S 40 vjeç. Polici akuzohet për kryerjen e veprës penale "Vrasja me dashje", mbetur në tentativë. Ndërkohë dy të afërmit e tj dhe 40-vjeçari akuzohen për kryerjen e veprës penale "Vrasja me dashje" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".
Njoftimi i policisë:
Në vijim të dy informacioneve paraprake të dhëna mbi ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, arrestuan shtetasit:
- S. A., 55 vjeç, banues në Fushë-Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Vrasja me dashje", mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76/22/25 i Kodit Penal;
- A. A., 45 vjeç, F. S., 33 vjeç, Y. S., 40 vjeç, të tre banues në Mamurras, të dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vrasja me dashje", mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuar nga nenet 76/22/ 25 dhe 278 të Kodit Penal.
Arrestimi i këtyre shtetase u bë pasi mbrëmjen e djeshme, më datë 25.07.2024, rreth orës 21.30, në vendin e quajtur Shperdhet, Mamurras, (në kufirin administrativ ndarës me qytetin e Krujës), shtetasit S. A., (me detyrë punonjës Policie) A. A., dhe disa personave të tjerë lidhje të tyre të ngushta familjare, kanë debatuar dhe janë konfliktuar fizikisht me vëllezërit F. S. dhe Y. S., për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me pronësinë e një sipërfaqe toke.
Me pas, konflikti midis tyre ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit dhe si pasojë e të shtënave kanë mbetur të dëmtuar nga njëra palë shtetasit S. A., A. A., dhe nga pala tjetër shtetasi F. S., të cilët më pas janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë e shtetasit S. A., municion luftarak (2 fishekë) dhe gëzhoja, të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Si ndodhi ngjarja
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, takimi për "sqarim" mes tre kushërinjëve ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit në afërsi të një fabrike çimentoje në Mamurras. E gjitha ka ndodhur pas një konflikti për motive pronësie. Fatos Sela së bashku me vëllezërit e tij ishin duke kryer punime për rrethimin e një sipërfaqe toke, e cila pretendohet se është pronë edhe e kushërinjëve të tyre. Pasi është lajmëruar për punimet që po kryeheshin në tokë, në vendin e ngjarjes, të afërmëve të tij u është bashkuar edhe efektivi i Policisë Rrugore, Sahit Ahmetaj (Sela). Ky i fundit, fillimisht ka debatuar me kushërinjtë e tij. Më pas, debati mes tyre ka agravuar dhe efektivi ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar duke plagosur dy të afërmit e tij, Fatos dhe Adrian Selën. Por duket se efektivi nuk ka qenë i vetmi që kishte armë zjarri me vete, pasi edhe të afërmit e tij e kanë qëlluar, po ashtu duke e plagosur punonjësin e Policisë./ZËRI